Së paku 21 të vrarë nga sulmet izraelite në një kamp tendash në Gaza, thotë spitali
Sulme ajrore izraelite ndodhën në një kamp me tenda për palestinezë të zhvendosur në jug të Gazës të mërkurën, duke shkaktuar zjarre e duke lënë të vrarë të paktën 21 njerëz, sipas drejtorit të një spitali afër vendit të ngjarjes, sulmi më i ri ndaj një qyteti me shumë tenda, të cilin Izraeli e ka përcaktuar si zonë të sigurt humanitare, por në mënyrë të përsëritur e ka vënë në shënjestër.
Ushtria izraelite tha se kishte goditur militantë të lartë të Hamasit “të përfshirë në aktivitete terroriste” në atë zonë, pa ofruar hollësi shtesë, dhe tha se kishte ndërmarrë masa paraprake për ta minimizuar dëmin ndaj civilëve, raporton agjencia e lajmeve “Associated Press”.
Sulmi ndaj kampit “Muwasi” ishte njëri nga disa prej sulmeve vdekjeprurëse në pjesë të ndryshme të Rripit të Gazës të mërkurën. Një sulm izraelit në pjesën qendrore të Gazës la të vrarë dhjetë njerëz, përfshirë katër fëmijë, sipas mjekëve palestinezë.
Sipas drejtorit të spitalit “Nasser” në Khan Younis, përpos të vrarëve, nga sulmi në kampin “Muwasi” u plagosën 28 njerëz.
Një gazetar i agjencisë “Associated Press” në spital numëroi të paktën 15 trupa, por shtoi se nxjerrja e një numri të saktë ishte i vështirë, sepse shumë të vdekur ishin të masakruar, disa pa koka ose të djegur rëndë.
Ushtria izraelite tha se sulmet kishin shkaktuar shpërthime dytësore, duke treguar se kishte lëndë shpërthyese të pranishme në atë zonë që u aktivizuan. Nuk qe e mundshme që të vërtetohej në mënyrë të pavarur pretendimi izraelit dhe sulmet kanë mundur të shkaktojnë edhe ndezje të naftës, cilindrave të gazit për gatim ose materialeve të tjera në kamp.