Së paku 20 të vdekur nga zjarri në një shtëpi ilegale të kujdesit në Rusi - NACIONALE

Së paku 20 të vdekur nga zjarri në një shtëpi ilegale të kujdesit në Rusi

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Të paktën 20 persona kanë vdekur nga një zjarr që shpërtheu në një shtëpi për persona të moshuar në qytetin siberian, Kemerovo, sipas zyrtarëve rusë.

Gjashtë persona të tjerë pësuan lëndime. Tërë kati i dytë i ndërtesës së drunjtë dykatëshe u shkatërrua nga zjarri gjatë natës. Sipas raportimeve fillestare, zjarri mund të jetë shkaktuar nga një boiler i prishur, shkruan BBC, përcjell “Nacionale”.

Zyrtarët citohen të kenë thënë se kjo shtëpi për të moshuar ishte duke funksionuar ilegalisht. Dhjetëra zjarrfikës u angazhuan për ta luftuar flakën dhe zjarri u fik të shtunën herët.

Guvernatori rajonal tha se objektet e ngjashme do të inspektohen. Autoritetet kanë filluar një hetim për rastin tragjik.

Zyrtarët lokalë të zjarrfikësve i thanë agjencisë “Tass” se shumë shtëpi të paregjistruara për të moshuar janë duke funksionuar në Rusi. Si të tilla, ato konsiderohen prona private dhe nuk u nënshtrohen inspektimeve për sigurinë kundër zjarrit.

Në vitin 2018, 60 persona – përfshirë 37 fëmijë – kishin vdekur nga zjarri në një qendër zbavitjeje në Kemerovo.

Lajme të ngjashme