Së paku 17 palestinezë të vrarë nga sulmet ajrore izraelite në Gaza, raporton WAFA - NACIONALE

Së paku 17 palestinezë të vrarë nga sulmet ajrore izraelite në Gaza, raporton WAFA

1 vit më parë

nga NACIONALE

Sulmet ajrore izraelite ndaj kampit të refugjatëve “al-Bureij” dhe qytezës Jabalia në pjesën qendrore e veriore të Gazës lanë të vrarë të paktën 17 palestinezë të mërkurën, raportoi agjencia zyrtare palestineze e lajmeve, WAFA, përcjell agjencia “Reuters”.

Ushtria izraelite nuk pati koment të menjëhershëm, edhe pse zëdhënësi i saj për deklarata në gjuhën arabe i paralajmëroi banorët e kampit “al-Bureij” më herët që të evakuoheshin para një sulmi që pritej të kryhej së shpejti kundër militantëve që po hidhnin raketa nga ajo zonë, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Ushtria tha gjithashtu se gjatë natës e kishte vrarë militantin e Hamasit, Abd al-Hadi Sabah, i cili e kishte ndihmuar udhëheqjen e depërtimit në vendbanimin Kibbutz Nir Oz gjatë sulmit të tetorit të vitit 2023 në jug të Izraelit.

Udhëzimi për t’u larguar nga kampi “al-Bureij” ka shkaktuar një valë të re të zhvendosjes, edhe pse nuk ishte menjëherë e qartë se sa njerëz u prekën nga kjo masë.

Izraeli thotë se qëllimi i fushatës që e ka nisur para gati tre muajve në veri të Gazës është që të parandalohet rigrupimi i militantëve të Hamasit. Ushtria thotë se udhëzimet ndaj civilëve për t’u evakuuar kanë për qëllim që ta parandalojnë lëndimin e tyre.

Sidoqoftë, palestinezët dhe zyrtarë të Kombeve të Bashkuara thonë se asnjë vend nuk është i sigurt në Gaza dhe se evakuimi i civilëve i përkeqëson kushtet humanitare të popullsisë.

Sipas mbrojtjes civile palestineze, më shumë se 1.500 tenda, ku po strehohen njerëz të zhvendosur në mbarë Gazën, u vërshuan nga shiu i dendur në dy ditët e fundit, duke i lënë njerëzit të ekspozuar ndaj të ftohtit, ndërsa gjësendet e tyre janë dëmtuar./Nacionale

Lajme të ngjashme