Së paku 11 të vdekur nga përmbytja e një barke me emigrant afër Maltës
Të paktën 11 njerëz kanë vdekur, pasi një barkë me emigrantë u përmbyt në ujërat afër Maltës, tha të hënën grupi bamirës “Sea-Watch”, ndërsa 50 të tjerë u shpëtuan në det nga një barkë peshkimi në atë zonë.
Të dielën, roja bregdetare italiane tha se barka ishte nisur nga Libia me afro 60 njerëz para se të përmbytej rreth 45 milje detare në juglindje të Maltës. Italia dislokoi një barkë patrulluese në zonë, duke thënë se më të fillimisht ishin tërhequr dhjetë trupa, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Grupi “Sea-Watch” tha në rrjetin X se numri i të vdekurve është të paktën 11, duke shtuar se 48 të mbijetuar ishin shpëtuar nga barka “Tuncay Sagun 2”.
Me afrimin e periudhës së verës, numri i lundrimeve të emigrantëve zakonisht rritet përgjatë rrugës Afrikë e Veriut – Evropë. Italia, Malta dhe Greqia janë pikat më të afërta tokësore për ata që përpiqen ta kalojnë këtë rrugë të rrezikshme detare.
Sipas Organizatës Ndërkombëtare të Migrimit, të paktën 827 njerëz kanë vdekur ose janë zhdukur deri më tani këtë vit gjatë përpjekjeve për ta kapërcyer pjesën qendrore të Detit Mesdhe, përfshirë 14 fëmijë.
Në Itali, Qeveria e kryeministres Giorgia Meloni ka marrë pozicion të ashpër kundër të ardhurve të paligjshëm, duke miratuar masa për luftimin e trafikimit të njerëzve dhe duke ua bërë më të vështirë emigrantëve që të sigurojnë azil.
Rreth 12 mijë njerëz kanë hyrë në Itali deri më tani më 2026, sipas të dhënave të Ministrisë së Brendshme, më pak se gjysma e afro 25 mijë njerëzve të raportuar për periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.