“S'duhet të bëhemi vasal i ShBA-së e Kinës”: Macroni kritikohet ashpër pas “kryengritjes” ndaj Amerikës
Presidenti francez Emmanuel Macron është përfshirë në një stuhi kritikash pasi tha se Evropa nuk duhet të bëhet “vasale” dhe duhet të shmangë përfshirjen në çdo konflikt midis ShBA-së e Kinës për Tajvanin.
Duke folur për Les Echos, Macron tha se Evropa duhet të jetë fuqia e tretë në rendin botëror, së bashku me SHBA-në dhe Kinën dhe riafirmoi qëllimin afatgjatë të tij për “autonomi strategjike” për Evropën. Por këto komente të tij për Tajvanin nxitën zemërim dhe alarm në të dy anët e Atlantikut.
Sipas Les Echos, Macron ka thënë: “A kemi ne (evropianët) interes të përshpejtojmë në temën e Tajvanit? Jo. Më e keqja do të ishte të mendonim se ne evropianët duhet të jemi ndjekës në këtë temë dhe të përshtatemi me një ritëm amerikan dhe një reagim të tepruar kinez.”
Më pas ai ka shtuar se përfshirja në “kriza që nuk janë tonat, do të ishte një kurth për Evropën", në një kohë kur ka kaluar pandemia Covid.
“Nëse do të kishte një përshpejtim të konfliktit mes dypolit amerikan dhe kinez, nuk do të kemi as kohë, as mjete për të financuar autonominë tonë strategjike dhe do të bëhemi vasalë, ndërsa mund të bëhemi të tretët në rendin botëror, nëse kemi disa vite për ta zhvilluar këtë,”- është shprehur Macron.
Më tej ai ka thënë se nevoja për "autonominë strategjike" të Evropës tani është pranuar gjerësisht dhe nuk ka pasur kurrë "një përshpejtim të tillë të fuqisë evropiane" si vitet e fundit.
Megjithatë gjithë këto komente të tij, nuk janë pritur edhe aq mirë nga zyrtarë të tjerë. Sipas The Guardian, senatori republikan amerikan Marco Rubio ka thënë se nëse Macron fliste për të gjithë Evropën, atëherë ShBA duhet të konsiderojë fokusimin e politikës së saj të jashtme në frenimin e Kinës dhe të lërë Evropën që të trajtojë luftën në Ukrainë.
Rubio, i cili ka humbur nominimin presidencial republikan ndaj Donald Trump në vitin 2016, më tej ka shtuar se ai e ka mbështetur ndihmën e ShBA-së për Ukrainën, por nëse Evropa do të zgjidhte anë në lidhje me Tajvanin, do të ishte në rregull një rishikim:
“Ndoshta, në thelb duhet të themi se do të fokusohemi në Tajvani dhe kërcënimet që paraqet Kina, dhe ju djema trajtoni Ukrainën dhe Evropën,”- citohet të ketë thënë ai.
Ndërkohë, në një editorial të publikuar nga Wall Street Journal thuhet se "komentet e padobishme" të presidentit francez do të minonin frenimin e ShBA-së dhe Japonisë kundër Kinës në Paqësorin perëndimor, ndërsa inkurajonin politikanët amerikanë që dëshironin të reduktonin angazhimet amerikane në Evropë.
“Nëse Presidenti Biden është zgjuar, ai duhet të telefonojë zotin Macron dhe të pyesë nëse ai po përpiqet të rizgjedhë Donald Trump,”- ishte shkrimi në këtë gazetë.
Komente në lidhje me fjalët e Macron ka pasur edhe nga një eurodeputet, i cili ka theksuar se lideri francez nuk mund të flasë në emër të BE-së.
“Macron thotë, ‘Evropa duhet’ dhe ‘ne evropianët’, por ai flet për Francën, ai nuk mund të flasë realisht për Evropën. Ndoshta është pak befasuese të theksohet autonomia strategjike tani në prill 2023, sepse bota ka ndryshuar në 14 muajt e fundit,” – është shprehur eurodeputeti, duke sugjeruar se pushtimi rus i Ukrainës kishte vënë në pikëpyetje aftësinë e Evropës për t'u bërë një fuqi e tretë në rend global siç propozon Macron.
Ndërkohë, edhe Norbert Röttgen, një deputet gjerman i qendrës së djathtë, i cili është anëtar dhe ish-kryetar i komitetit të Punëve të Jashtme të Bundestagut, ka thënë se Macron e kishte kthyer udhëtimin e tij në Kinë në "një grusht shteti PR për Xi-në dhe një fatkeqësi të politikës së jashtme" për Evropën.
“Me idenë e tij për sovranitetin, të cilin ai e përcakton në demarkacion dhe jo në partneritet me ShBA-në, ai po izolohet gjithnjë e më shumë në Evropë”.
Nga ana tjetër mbështetësit e Macron kanë thënë se intervista e tij e dhënë për Les Echoes, përmbante pak gjëra të reja për të ose për politikën e jashtme franceze që nga Charles de Gaulle.
Gérard Araud, një ish-ambasador francez në Uashington dhe OKB, është shprehur se Macron kishte nisur një debat të rëndësishëm në një kohë kur "ekziston tundimi për t'u konsoliduar në një "bllok perëndimor" nën drejtimin amerikan të siguruar që të jetë në anën e "të mirës".
Mosmarrëveshjet e fundit, kujtojne polemika të mëparshme të nisura nga presidenti francez, si ajo e vitit 2019, kur Macron deklaroi se NATO po përjetonte "vdekje truri", ose deklarata e vitit të kaluar që zemëroi aleatët e Evropës Qendrore dhe Lindore duke thënë se Rusia do të kishte nevojë për garanci sigurie kur të vinte koha për të negociuar një zgjidhje paqeje me Ukrainën.

