Macron thirrje për autonomi strategjike: BE-ja nuk duhet të ndjekë ShBA-në apo Kinën
Presidenti francez Emmanuel Macron ka bërë thirrje që BE-ja të zbatojë politikën e deklaruar të "autonomisë strategjike", duke argumentuar se blloku mund të bëhet një "pol i tretë" përkrah Kinës dhe ShBA-së.
Në një intervistë të dhënë për të përditshmen francize të biznesit Les Echos, presidenti francez ka përsëritur thirrjet e tij që BE të mbajë një politikë të jashtme të pavarur.
"Ne nuk duam të futemi në një bllok kundër logjikës së bllokut," – është shprehur ai, duke argumentuar se "Evropa nuk duhet të kapet nga një çrregullim i botës dhe kriza që nuk janë tonat".
Komentet e tij vijnë pas një vizite të realizuar në Kinë, ku Macron zhvilloi një takim edhe me presidentin kinez Xi Jinping, ku ndër të tjera diskutuan edhe tensionet rreth Tajvanit dhe pushtimin rus në Ukrainë.
E në intervistën e dhënë, duke u ndaluar të çështja e Tajvanit, Macron është shprehur se një përshkallëzim në Tajvan nuk është në interes të BE-së.
"Pyetja që na bëhet ne evropianëve është kjo: a është në interesin tonë që të ketë përshpejtim në temën e Tajvanit? Jo. Gjëja më e keqe që ne evropianët mund të bënim do të ishte të ishim ndjekës në këtë temë dhe të përshtateshim me ritmin amerikan dhe një reagim të tepruar kinez. Pse duhet të shkojmë në një ritëm të zgjedhur nga dikush tjetër?"
Duke bërë thirrje për zbatim të "autonomisë strategjike" të BE-së, kreu i shtetit francez theksoi se kjo ishte një nevojë, në mënyrë që blloku të mbajë një linjë të pavarur të politikës së jashtme.
"Evropa nuk e kishte ndërtuar këtë autonomi strategjike për një kohë të gjatë. Por tani beteja ideologjike është fituar. Pesë vjet më parë, autonomia strategjike ishte një ëndërr e vërtetë. Tani të gjithë po flasin për të,"- u shpreh ai.
Ndër të tjera, Macron tha se vendet anëtare të BE-së duhet të shmangin të bëhen "vasalë" dhe se blloku mund të funksionojë si një "pol i tretë" në gjeopolitikë së bashku me ShBA-në dhe Kinën. Ai po ashtu paralajmëroi kundër ndjekjes së politikës së jashtme amerikane si një "refleks paniku".

