Scholzi pajtohet për masa më të ashpra ndaj emigrantëve, pritet kursimi i një miliard eurove
Kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz, i cili synon që ta zvogëlojë numrin e azilkërkuesve dhe ta frenojë përkrahjen për të djathtën ekstreme, u pajtua për politika më të ashpra ndaj emigrantëve dhe fonde të reja për refugjatë me udhëheqësit e 16 shteteve gjermane pas disa orëve bisedimesh të martën herët.
Javëve të fundit, qeveria e Scholz-it është pajtuar për masa që e lehtësojnë dëbimin e emigrantëve dhe për ta bërë Gjermaninë më pak tërheqëse për ta në rend të parë, si kontrast i qartë në krahasim me politikën e perceptuar me dyer të hapura nën pushtetin e ish-kancelares Angela Merkel, raporton agjencia “Reuters”.
Qëllimet e takimit ishin grumbullimi i përkrahjes së udhëheqësve shtetërorë për masa të tilla dhe adresimi i ankesave të autoriteteve lokale se fondet dhe infrastruktura publike janë tejngarkuar.
Si rezultat, qeveria e Scholz-it u pajtua që t’u paguajë shteteve dhe komunave gjermane nga 7.500 euro për refugjat nga viti i ardhshëm, si dhe të bëjë pagesë paraprake prej 1,75 miliard eurosh gjatë gjysmës së parë të vitit 2024.
Udhëheqësi i shtetit qendror gjerman, Hesse, vlerësoi se shuma e përgjithshme e ndihmës nga qeveria federale do të jetë 3,5 miliardë euro.
Autoritetet pritet të kursejnë rreth një miliard euro përmes zvogëlimit të përfitimeve për azilkërkuesit, për shembull, duke e dyfishuar sasinë e kohës derisa ata të pranojnë beneficione të plota sociale.
“Qëllimi ynë i përbashkët është që t’i kundërvihemi migrimit ilegal”- tha kancelari gjerman, pasi e cilësoi “moment historik” marrëveshjen me udhëheqësit rajonalë të vendit.
Shqetësimi rreth emigrantëve është shtuar në Gjermani, pasi numri i njerëzve që kërkojnë azil është rritur, i ndikuar nga një milion refugjatë ukrainas që arritën në vend pas fillimit të pushtimit rus vitin e kaluar.
Rreth 230 mijë njerëz kanë kërkuar azil në Gjermani gjatë nëntë muajve të parë të këtij viti, më shumë se gjatë tërë vitit të kaluar.
