Scholzi e merr kabinetin e vet në Poloni, mbrojtja temë kyçe - NACIONALE

Scholzi e merr kabinetin e vet në Poloni, mbrojtja temë kyçe

2 vjet më parë

nga Nasuf Abdyli

Kancelari gjerman, Olaf Scholz, dhe kryeministri polka, Donald Tusk, u takuan të martën në Varshavë, përderisa vendet me histori të përbashkët të vështirë po synojnë që ta fuqizojnë bashkëpunimin përballë sfidave të sigurisë dhe turbulencën politikë ne Evropë.

Udhëheqësit do të marrin pjesë në konsultime ndërqeveritare mes kabineteve, takimi i parë i këtij lloji që nga viti 2018, raporton agjencia “Reuters”.

Marrëdhëniet mes dy shteteve janë ngrohur pas ardhjes në pushtet të koalicionit pro-evropian të Tuskut në dhjetor, duke u dhënë fund tetë vjetëve të pushtetit nacionalist në Poloni, gjatë të cilit qeveria e udhëhequr nga partia PiS (Ligj dhe Drejtësi) vazhdimisht e paraqiste Gjermaninë si forcë armiqësore.

Takimi i kabineteve vjen në kohën e ballafaqimit të të dyja vendeve me sfida të sigurisë që ndërlidhen me luftën në Ukrainë dhe me një mjedis gjeopolitik turbulent, kur e djathta ekstreme ka fituar në rundin e parë të zgjedhjeve parlamentare në Francë dhe udhëheqësit evropianë po përgatiten për mundësinë që republikani Donald Trump të rikthehet si president i ShBA-së.

Zëvendësministri i Punëve të Jashtme i Polonisë, Marek Prawda, i tha agjencisë “Reuters” se takimi ishte “hapje e bisedës në frymën e shqetësimit për të ardhmen”.

“Për shkak se kemi një kthesë gjeopolitike në botë, BE-ja nuk është më fabrikë rregullash, por po bëhet një komunitet i fatit dhe ne duhet t’i kundërpërgjigjemi këtij ndryshimi me të paktën ca politika të shtimit të kapaciteteve ushtarake” – shtoi ai.

Kur tensionet janë të larta në kufirin me Bjellorusinë dhe raketat ruse nisen drejt Ukrainës rregullisht, duke e nxitur ngritjen e aeroplanëve në qiell në Poloni, shqetësimet për sigurinë do të jenë lart në agjendën e diskutimeve në Varshavë.

“Siguria e Polonisë dhe kohezioni brenda NATO-s janë tepër të rëndësishme për Gjermaninë” – tha një burim qeveritar gjerman.

Megjithatë, përderisa pushtimi rus i Ukrainës i ka bashkuar dy vendet e BE-së dhe anëtaret e NATO-s, duke e njohur rëndësinë e fuqizimit të mbrojtjes së tyre, ka dallime për atë se si duhet arritur kjo.

Tusku e ka mbrojtur idenë e financimit të përbashkët nga BE-ja të projekteve të mbrojtjes, por kancelari gjerman ka thënë se blloku nuk duhet të jetë i përfshirë në financimin e blerjes së armëve ose buxheteve shtetërore të mbrojtjes.

Për më tepër, 85 vjet pas fillimit të Luftës së Dytë Botërore, shumë njerëz në Poloni ende mendojnë se Gjermania nuk ka bërë mjaftueshëm për ta përmirësuar konfliktin që e kishte lënë vendin e shkatërruar me rreth një të pestën e popullsisë të vdekur, përfshirë shumicën dërrmuese të komunitetit hebraik 3-milionësh./Nacionale

Lajme të ngjashme