Sasi rekorde e kokainës në Belgjikë, një 11-vjeçare vritet nga luftimet mes bandave
Politikanët belgë kanë shprehur zemërim për vrasjen e një vajze 11-vjeçare në Antwerp në atë që është quajtur “luftë për drogë” mes bandave rivale. Autoritetet kanë thënë se sasia e kokainës së konfiskuar në portin e qytetit shkoi në mbi 100 tonë për herë të parë vitin e kaluar.
Statistikat për sasinë e pashembullt të kokainës së konfiskuar në portin e dytë më të madh të Evropës u publikuan të martën dhe jehuan mbi vdekjen e vajzës. Ajo u godit nga të shtënat në distriktin Merksem të hënën në mbrëmje. Kryetari i qytetit, bart de Wever, tha se fëmija ishte viktimë e luftës për drogë.
Autoritetet belge njoftuan të martën se kanë konfiskuar gati 110 tonë kokainë më 2022 në Antwerp, duke vendosur një rekord të ri dhe duke e tejkaluar sasinë prej 100 tonësh për herë të parë. Më 2021, autoritetet doganore kishin konfiskuar 89,5 tonë kokainë, e cila fshihet shpesh në dërgesat me pemë dhe perime.
Belgjika përbën rreth 40 për qind të sasisë së tërë kokainës në Evropë, tha Kristina Vanderwaeren, drejtor për dogana në Ministrinë e Financave, duke e përshkruar qytetin Antwerp si vendmbërritje kryesore për trafikuesit e drogës.
Aq shumë kokainë është zbuluar nga organet e rendit vitin e kaluar në këtë shtet, sa zyrtarët thanë se nuk kishin kapacitet të mjaftueshëm të furrave për djegie për ta shkatërruar substancën narkotike.
Pavarësisht nga sasia e madhe e kokainës së konfiskuar, ekspertët kanë lënë të kuptohet se kjo sasi përbën vetëm 10 deri në 20 për qind të sasisë së përgjithshme që është në qarkullim. “Çmimi në rrugë mbetet i qëndrueshëm, prandaj kjo tregon se ajo që është konfiskuar, nuk është e një natyre të tillë sa për ta penguar tregun”, tha Johan Maes, avokat.
Pas Antwerpit, në vend të dytë është qyteti holandez, Rotterdam, ku vitin e kaluar u konfiskuan 52,5 tonë kokainë, më pak se 70 tonë në vitin 2021. Sasia e kokainës së konfiskuar është rritur dukshëm në Antwerp vjetëve të fundit. Autoritetet belge thanë se planifikojnë që ta rrisin stafin për 108 persona për t’i ashpërsuar kontrollet në këtë qytet.

