Samiti i BE-së: Çfarë thonë liderët për embargon e naftës ruse, pritet fjalim edhe nga Zelensky
Udhëheqësit e Bashkimit Evropian u mblodhën të hënën në një shfaqje të re solidariteti me Ukrainën, por mendimet e ndryshme rreth asaj se a duhet të synohet nafta ruse në një seri të re sanksionesh po ekspozojnë kufijtë se sa larg mund të shkojë blloku për të ndihmuar ukrainasit.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky, i cili do t'u drejtohet përmes videos në mbrëmje të 27 liderëve të bllokut, ka kërkuar vazhdimisht që BE të synojë sektorin fitimprurës të energjisë së Rusisë dhe t'i privojë Moskës miliarda dollarë që merr çdo ditë në pagesat e furnizimit.
BE-ja merr rreth 40% të gazit natyror dhe 25% të naftës nga Rusia, dhe Ukraina thotë se këto importe energjie po financojnë luftën e Rusisë kundër saj.
Por Hungaria është një vend që po udhëheq një grup vendesh të tjera të BE-së - së bashku me Sllovakinë, Republikën Çeke dhe Bullgarinë, që mbështeten në naftën ruse dhe nuk mund të përballojnë të ndërmarrin hapa të tillë. Hungaria merr më shumë se 60% të naftës së saj dhe 85% të gazit natyror nga Rusia.
Pas mbërritjes në Bruksel, kryeministri hungarez Viktor Orban ishte i bindur se nuk kishte ndonjë marrëveshje në horizont, ndërsa kryeministri çek Petr Fiala sugjeroi se shtyrja e sanksioneve të naftës ndaj Rusisë mund të ishte një zgjidhje.
“Ne jemi gati të heqim qafe varësinë tonë nga burimet energjetike të Rusisë… por nuk jemi në gjendje ta bëjmë atë në një afat të shkurtër”, tha Fiala.
Megjithatë, një takim i ambasadorëve i mabjtur pak përpara samitit ngjalli disa shpresa se mund të arrihet një kompromis.
Sipas një diplomati të BE-së, i cili foli në kushte anonimiteti, tha se udhëheqësit do të synojnë "të arrijnë një marrëveshje politike sot" për një embargo ndaj naftës ruse që do të mbulonte "më shumë se dy të tretat e importeve të naftës nga Rusia, d.m.th., e gjithë nafta që vjen nga deti nga Rusia.”
Ndërsa, Orban tha se është gati të mbështesë raundin e gjashtë të sanksioneve nëse garantohet siguria e furnizimeve me naftë të Hungarisë.
BE-ja tashmë ka vendosur pesë raunde sanksionesh ndaj Rusisë për luftën e saj në Ukrainë. Blloku ka shënjestruar më shumë se 1000 njerëz, duke përfshirë presidentin rus Vladimir Putin dhe zyrtarë të lartë të qeverisë, si dhe oligarkë pro-Kremlinit, banka, sektorin e qymyrit e të tjera.
Ndërkohë, një paketë e gjashtë sanksionesh kundër Rusisë u njoftua më 4 maj, por kur presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen propozoi paketën, qëllimi fillestar ishte që të hiqeshin gradualisht importet e naftës së papërpunuar brenda gjashtë muajve dhe produkteve të rafinuara deri në fund të vitit.
Problemi me ndalimin e naftës së transportuar nga deti është se vendet - si Belgjika, Gjermania dhe Holanda - që janë më të varura nga kjo formë do të pësonin një rritje të çmimeve të naftës, duke shtrembëruar konkurrencën sepse Hungaria do të blinte ende naftë ruse më të lirë.
Orban tha se “zgjidhja e tubacionit nuk është e keqe. Është një qasje e mirë. Por ne kemi nevojë për garancinë që në rast të një aksidenti me tubacionin që kalon përmes Ukrainës, ne duhet të kemi të drejtën të marrim naftën ruse nga burime të tjera”.
Ndërsa, kancelari gjerman Olaf Scholz la të hapur mundësinë e arritjes së një marrëveshjeje të BE-së në samit, duke i quajtur bisedimet për këtë çështje "të mira dhe konstruktive" dhe duke thënë se blloku është i vendosur të mbetet i bashkuar.
"Gjithçka që dëgjoj e bën të tingëllojë sikur mund të arrihet një konsensus dhe, herët a vonë, do të arrihet," u tha Scholz gazetarëve, ndërsa Von der Leyen përjashtoi mundësinë e një përparimi në samitin e kësaj jave, duke thënë se "pritshmëritë janë të ulëta që të zgjidhet në 48 orët e ardhshme".
Kryeministri letonez Krisjanis Karins u kërkoi homologëve të tij të BE-së të kapërcejnë mosmarrëveshjet e tyre për naftën, duke thënë se vendet anëtare "po ngecin pak në të gjitha detajet duke harruar pamjen e madhe.”
"Janë vetëm para dhe ukrainasit po paguajnë me jetën e tyre," tha ai. "Vetëm kur Rusia është e mundur, ne në Evropë mund të ndjehemi të sigurt."
Nëse liderët arrijnë të miratojnë sanksionet, paketa do të përfshijë gjithashtu një ngrirje të aseteve dhe ndalim të udhëtimit për individët ndërsa banka më e madhe e Rusisë , Sberbank, do të përjashtohet nga sistemi kryesor global për transfertat financiare. BE-ja ka ndaluar tashmë disa banka më të vogla ruse nga SWIFT. Gjithashtu, tre transmetues të mëdhenj shtetërorë rusë do të ndalohen të shpërndajnë përmbajtjen e tyre në BE.
Samiti dy-ditor do të fokusohet gjithashtu në mbështetjen e vazhdueshme financiare të BE-së për Ukrainën.
Ndërsa, të martën në tryezë do jetë edhe çështja e sigurisë ushqimore, me liderët që janë të vendosur të inkurajojnë qeveritë e tyre të përshpejtojnë punën në "korsi solidariteti" për të ndihmuar Ukrainën të eksportojë grurë dhe prodhime të tjera.
Përpara samitit të së hënës, një grup i vogël protestuesish u mblodhën jashtë ndërtesave të BE-së, duke mbajtur tabela në duar që i thonin "jo naftës dhe gazit rus".