Sa dhe pse është e rëndësishme tërheqja ruse nga Khersoni?
Ofensiva disamujore e Ukrainës për të rimarrë qytetin e Khersonit, i vetmi kryeqytet provincial që ka qenë nën kontrollin rus që në ditët e para të pushtimit, duket në përfundim. Pas një varg humbjesh në fushëbetejë dhe pengesa të tjera, rënia e qytetit ka sjellë një tjetër poshtërim për Moskën.
Por, çfarë po ndodh dhe pse Khersoni është qytet kaq i rëndësishëm për të dyja palët?
Kherson, me një popullsi prej 280,000 banorësh të paraluftës, është i vetmi kryeqytet rajonal i kapur nga forcat ruse që në fillim të luftës.
Humbja e qytetit ishte një goditje e madhe për Ukrainën për shkak të vendndodhjes në lumin Dnieper pranë grykëderdhjes së Detit të Zi dhe rolit që ka si një qendër e madhe industriale. Por, që atëherë luftëtarët e rezistencës ukrainase kanë sfiduar trupat ruse për kontrollin e qytetit, me akte sabotazhi dhe vrasje të zyrtarëve të caktuar nga Moska.
Kherson ndodhet gjithashtu në një pikë ku Ukraina mund të ndërpresë ujin e rrjedhshëm nga Dnieper për në Krime – furnizim që e kishte bllokuar menjëherë pas aneksimit të gadishullit të Krimesë nga Putini, një arsye kjo e përmendur edhe nga vetë presidenti rus për të pushtuar Ukrainën.
ÇFARË PO NDODH TANI?
Në 24 orët e fundit, trupat ukrainase kanë fituar në veriperëndim, perëndim dhe verilindje të qytetit të Kherson, duke përparuar deri në 7 kilometra në disa zona, e duke u futur edhe në qendër të qytetit.
Por, zyrtari rajonal i Khersonit, i emëruar nga Ukraina, Serhii Khlan ka thënë se ndërsa Rusia tërhoqi trupat e saj nga bregu perëndimor i lumit që ndan rajonin, ata kanë shkatërruar infrastrukturën kryesore, duke përfshirë objektet e energjisë dhe urat.
"Gjithçka do të duhet të rindërtohet," u shpreh ai të premten në një konferencë video, duke shtuar se, "ndërsa iknin, ata po hidhnin në erë gjithçka, gjithçka që mund të pengonte avancimin ukrainas.”
Khlan po ashtu ka këshilluar civilët të qëndronin në shtëpi, duke thënë se situata humanitare ishte vërtet e ndërlikuar, me furnizimin me energji elektrike të ndërprerë dhe komunikime shumë të kufizuara.
ÇFARË THOTË KREMLINI?
Ditën e premte Kremlini vazhdoi të këmbëngulë se zhvillimet në fushën e betejës në rajonin e Khersonit nuk përfaqësonin në asnjë mënyrë një poshtërim për Putinin.
Edhe pse thuhet se, nga frika e një kundërsulmi kaq të madh ukrainas, administrata rajonale e instaluar nga Kremlini në Kherson në fillim të muajit zhvendosi të paktën 70,000 banorë nga qyteti.
ÇFARË DO TË THOTË HUMBJA E KHERSONIT PËR RUSINË?
Një tërheqje nga Khersoni dhe zona të tjera në bregun perëndimor të Dnieper-it, do të thotë shkatërrim i shpresave ruse për të vazhduar një ofensivë në perëndim në Mykolaiv dhe Odesa. Moska kishte shpresuar gjithashtu të ndërtonte një korridor tokësor në rajonin separatist të Transnistria të Moldavisë, shtëpia e një baze të madhe ushtarake ruse.
"Humbja e Khersonit do t'i kthejë të gjitha ëndrrat e Kremlinit në pluhur," është shprehur analisti ushtarak ukrainas Oleh Zhdanov.
ÇFARË DO TË THOTË RIMARRJA E KHERSONIT PËR UKRAINËN?
Rimarrja e Khersonit, krijon për Ukrainën terrenin e duhur për të rimarrë edhe pjesën e pushtuar nga Rusia të Zaporizhzhia-s dhe zonave të tjera në jug, mundësinë edhe për të shtyrë ofensivën në Krime.
Rikthimi i kontrollit të Kherson, nënkupton gjithashtu se Kievi mund të ndërpresë përsëri ujin për në Krime.
ÇFARË DO TË MENDOJË KINA?
Volodymyr Fesenko, kreu i institutit të pavarur Penta Center me bazë në Kiev, ka thënë se humbja e kontrollit të Kherson dhe zonave të tjera në jug është një çmim i madh për Rusinë, me pasoja të dhimbshme për Putinin, brenda dhe jashtë vendit.
"Kremlini do të përballet me një valë tjetër kritikash të ashpra ndaj komandës ushtarake dhe autoriteteve në përgjithësi nga qarqet ultra-patriotike," ka thënë Fesenko, duke shtuar se rënia e qytetit do të demoralizojë më tej forcat e armatosura ruse dhe ndoshta mund të nxisë kundërshtimin ndaj përpjekjeve të mobilizimit.
Ai tha gjithashtu se Kina dhe India do ta shihnin rënien e Khersonit si një shenjë të dobësisë së Kremlinit.
“Putini do të përballet me humbje të reputacionit jo vetëm brenda vendit, por edhe në sytë e Kinës, dhe kjo mund të jetë veçanërisht e rrezikshme për Kremlinin”, ka thënë Fesenko.


