Rusia vendos raketa hipersonike në rajonin e Kaliningradit - NACIONALE

Rusia vendos raketa hipersonike në rajonin e Kaliningradit

4 vjet më parë

nga Miranda Shala

Ushtria ruse ka bërë të ditur të enjten se ka dislokuar avionë luftarakë të armatosur me raketa hipersonike në rajonin e Kaliningradit, një lëvizje kjo që vjen në mes të tensioneve në rritje mes Perëndimit e Moskës për luftën në Ukrainë.

Ministria e Mbrojtjes e Rusisë tha se tre avionë MiG-31 me raketa hipersonike Kinzhal kanë mbërritur në bazën ajrore Chkalovsk në enklavën e Detit Baltik si pjesë e "masave shtesë të parandalimit strategjik".

Ministria poashtu njoftoi se avionët luftarakë do të vihen në gatishmëri gjatë gjithë kohës.

Sipas Associated Press, vendosja e raketave Kinzhal në Kaliningrad ndërsa fushata e Rusisë në Ukrainë po i afrohet muajit të gjashtë, duket se synon të shfaqë aftësinë e ushtrisë ruse për të kërcënuar asetet e NATO-s.

Rajoni ku janë dërguar raketat kufizohet me Poloninë dhe Lituaninë, të dyja vende anëtare të NATO-s.

Kujtojmë se Moska ka kritikuar vazhdimisht dërgesat e armëve perëndimore në Ukrainë, duke akuzuar ShBA-në për nxitje të konfliktit.

Sa u përket raketave, ushtria ruse thotë se Kinzhal ka një rreze veprimi deri në 2,000 kilometra dhe fluturon me 10 herë shpejtësinë e zërit, duke e bërë të vështirë përgjimin e saj. Kjo raketë tashmë është përdorur disa herë nga Rusia për të goditur objektiva në Ukrainë.

Vendndodhja e Kaliningradit e ka vënë atë në plan të parë, në përpjekjet e Moskës për të kundërshtuar atë që ajo e përshkruan si politikë armiqësore e NATO-s.

Kremlini ka forcuar në mënyrë metodike trupat e tij ushtarake atje, duke i armatosur me armët më të fundit, përfshirë raketa Iskander të drejtuara me saktësi dhe një sërë sistemesh të mbrojtjes ajrore.

Lajme të ngjashme