Rusia vazhdon bombardimet, Lavrov: Nuk ka armëpushim para bisedimeve - dita 47 e luftës
Ndërsa po mbyllet edhe dita e 47-të e pushtimit rus në Ukrainë, nga Gazeta Nacionale më poshtë gjeni përmbledhjen e zhvillimeve kyçe nga lufta Rusi-Ukrainë.
Qyteti lindor i Ukrainës, Kharkiv, u vu nën granatime të rënda sot, duke rezultuar në viktima të shumta, tha kryebashkiaku Ihor Terekhov. Sipas tij, në mesin e viktimave ishte edhe një fëmijë.
Trupat e shtatë personave u nxorrën nga rrënojat e dy blloqeve të larta të banimit të shkatërruara në qytetin Borodianka pranë Kievit, duke çuar në total numrin e personave të gjetur nën rrënoja në 19.
Presidenti ukrainas tha se dhjetëra mijëra njerëz janë vrarë në qytetin juglindor të Mariupolit. Ai po ashtu foli në parlamentin e Koresë së Jugut, ku kërkoi mbështetje për ushtrinë e saj, avionë dhe tanke.
Forcat ukrainase po përgatiten për një "betejë të fundit" për të kontrolluar qytetin port të Mariupolit, u tha në një deklaratë të brigadës së 36-të të marinës të forcave të armatosura ukrainase.
Komandanti i përgjithshëm ushtarak i Ukrainës, gjenerali Valeriy Zaluzhnyi, tha se forcat ukrainase po vazhdojnë të mbrojnë heroikisht Mariupolin.
Ministri i jashtëm rus, Sergei Lavrov tha se Moska nuk do të ndalojë operacionin e saj ushtarak në Ukrainë para raundit të ardhshëm të bisedimeve të paqes.
Zyrtarët perëndimorë thanë se presin që Rusia të "dyfishojë ose ndoshta edhe trefishojë" forcat e saj në Donbas.
Presidenti i SHBA-së, Joe Biden, foli me kryeministrin indian, Narendra Modi, duke theksuar vlerat e përbashkëta të vendeve ndërsa ShBA-ja e shtyu Indinë të merrte një qëndrim më të ashpër kundër pushtimit rus të Ukrainës. Modi e quajti situatën në Ukrainë "shumë shqetësuese" dhe tha se ai ka folur me Vladimir Putin të Rusisë dhe Volodymyr Zelensky të Ukrainës, duke u bërë thirrje të dyve për paqe.
Kancelari austriak, Karl Nehammer, zhvilloi sot në Moskë bisedime “të drejtpërdrejta, të hapura dhe të ashpra” me presidentin rus, Vladimir Putin. Në një deklaratë, Nehammer - lideri i parë i BE-së që u takua me Putinin që kur ai urdhëroi trupat e tij të pushtonin Ukrainën, tha se takimi me Putinin "nuk ishte një takim miqësor".
Ministria ruse e Mbrojtjes pretendoi se ka shkatërruar një sistem raketash anti-ajrore S-300 pranë Dnipros, por pretendimi është përshkruar si dezinformim nga kryeministri i Sllovakisë, Eduard Heger, vendi i të cilit dhuroi një sistem S-300 për Ukrainën javën e kaluar.
Zyrtarët ukrainas kanë akuzuar Rusinë se po mbanë në burgjet ruse civilë, përfshirë gazetarë, aktivistë e priftrinjë.
Ministria e Jashtme e Francës ka shpallur gjashtë agjentë rusë, të paraqitur si diplomatë - “persona non grata” pas një hetimi nga shërbimet e brendshme të inteligjencës.
Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm të Ukrainës tha në një deklaratë të hënën se 183 fëmijë ishin vrarë dhe 342 ishin plagosur që nga fillimi i luftës së Rusisë në Ukrainë, duke cituar shifrat paraprake nga prokurorët për të mitur.
Sipas një këshilltari të lartë të Zelenskiyt, 150 mijë banorëve të Mariupolit u është lejuar të largohen nga qyteti i rrethuar, pasi negociatorët ukrainas realizuan një kalim të sigurt.
Holanda, Suedia dhe Gjermania kanë premtuar 2.7 milionë dollarë në Gjykatën Penale Ndërkombëtare (GJNP) për të mbështetur hetimin e saj të krimeve të mundshme të luftës të kryera në Ukrainë nga Rusia.