Rusia thotë se Ukraina ka goditur një anije transportuese afër Krimesë - NACIONALE

Rusia thotë se Ukraina ka goditur një anije transportuese afër Krimesë

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Një anije transportuese ruse, me 11 anëtarë të ekuipazhit, është goditur nga një sulm ukrainas në Detin e Zi, sipas zyrtarëve rusë të transportit detar.

Ata thanë se dhoma e motorit të anijes u dëmtua gjatë sulmit që u krye natën në Ngushticën e Kerch-it. Raportohet se nuk është lënduar askush, shkruan televizioni BBC.

Agjencia ruse për transport detar më vonë njoftoi se nga sulmi ukrainas është prekur anija “Sig”, duke thënë se ajo ndodhej 27 kilometra në jug të urës së Krimesë. Sipas kësaj agjencie, ka gjasë që sulmi të jetë kryer me dron ujor.

Edhe disa blogerë ushtarakë rusë thanë më herët se në këtë sulm ishte i përfshirë një dron ukrainas dhe se banorët në fshatrat bregdetare dëgjuan një shpërthim të madh.

Ukraina deri më tani nuk e ka komentuar rastin.

Agjencia shtetërore ruse e lajmeve, Tass, citoi një zyrtar të Qendrës për Bashkërendim të Shpëtimit Detar të ketë thënë se dy anije për tërheqje tashmë kishin arritur në vendin e sulmit. “Dhoma e motorit u dëmtua. Jo shumë, por u dëmtua”- tha ky zyrtar.

Ngushtica e Kerch-it e lidh Detin e Zi me Detin Azov, duke e ndarë Gadishullin e Krimesë, që Rusia e aneksoi nga Ukraina më 2014, nga Gadishulli i Tamanit në Rusi.

Mediat shtetërore ruse raportuan se ndriçimi në urën e Krimesë u ndërpre dhe i tërë trafiku u ndal për shkak të paralajmërimeve për sulm.

Të premten, një anije ushtarake ruse pësoi dëm serioz nga një sulm ukrainas me dron ujor afër portit rus në Detin e Zi, Novorossiysk, i thanë televizionit BBC burimet ukrainase të sigurisë.

Lajme të ngjashme