Rusia thotë se s’do ta respektojë më moratoriumin për raketa me rreze të mesme
Rusia ka deklaruar se nuk e konsideron më veten palë të një moratoriumi që i ishte nënshtruar vetë për dislokimin e raketave me rreze të gjatë që mund të bartin koka bërthamore, paralajmërim që potencialisht e ndërton skenën për një garë të re armësh, përderisa tensionet mes Moskës e Uashingtonit po rriten përsëri për shkak të Ukrainës.
Në një deklaratë të publikuar të hënën, Ministria e Jashtme e Rusisë e lidhi këtë vendim me përpjekjet e Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve të tyre për zhvillimin e armëve me rreze të mesme dhe përgatitjet për dislokimin e tyre në Evropë dhe në pjesë të tjera të botës. Në deklaratë përmenden në mënyrë specifike planet e ShBA-së për të dislokuar raketa “Typhoon” dhe “Dark Eagle” në Gjermani duke filluar nga viti i ardhshëm, raporton agjencia e lajmeve “Associated Press”.
Ministria e Jashtme theksoi se veprime të tilla nga Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre krijojnë “potenciale raketore destabilizuese” afër Rusisë, duke krijuar një “kërcënim të drejtpërdrejtë ndaj sigurisë së vendit tonë” dhe bartin “pasoja të dëmshme të konsiderueshme për stabilitetin rajonal dhe global, përfshirë një përshkallëzim të rrezikshëm të tensioneve mes fuqive bërthamore”.
Kjo ministri nuk tregoi se çfarë hapash specifikë mund të ndërmarrë Kremlini, por presidenti Vladimir Putin në të kaluarën ka njoftuar se Moska planifikon që t’i dislokojë raketat e reja “Oreshnik” në territorin e fqinjës Bjellorusisë më vonë këtë vit.
“Vendimet për parametrat specifikë të masave reaguese do të merren nga udhëheqja e Federatës Ruse duke u mbështetur në një analizë mes departamenteve për shkallën e dislokimit të raketave amerikane dhe të tjera perëndimore me bazë në tokë e me rreze të mesme veprimi, si dhe zhvillimin e situatës së përgjithshme në zonën e sigurisë ndërkombëtare dhe stabilitetit strategjik” – tha Ministria e Jashtme.
Deklarata e Rusisë vjen pas njoftimit të presidentit amerikan, Donald Trump, të premten se ai e ka urdhëruar ripozicionimin e dy nëndetëseve bërthamore të ShBA-së “duke u mbështetur në deklaratat shumë provokuese” të ish-presidentit rus, Dmitry Medvedev.
Trumpi ka thënë se është i alarmuar nga qëndrimi i Medvedevit. Ish-presidenti rus, i cili tani e mban pozitën e nënkryetarit të Këshillit të Sigurisë të Rusisë, që udhëhiqet nga Putini, ka bërë deklarata provokuese dhe shpesh i ka shfrytëzuar kërcënimet bërthamore.
Javën e kaluar, Medvedevi iu kundërpërgjigj afatit të vendosur nga Trumpi për pranimin e një marrëveshjeje të paqes në Ukrainë duke e paralajmëruar që të mos e “luajë lojën e ultimatumeve me Rusinë” dhe duke deklaruar se “secili ultimatum i ri është një kërcënim dhe një hap drejt luftës”.
Medvedevi gjithashtu e komentoi deklaratën e Ministrisë së Jashtme të Rusisë, duke e përshkruar tërheqjen e Moskës nga moratouriumi si “rezultat i politikës antiruse të shteteve të NATO-s”.
“Ky është një realitet i ri me të cilin do të duhet të ballafaqohen të gjithë kundërshtarët tanë. Prisni hapa të mëtejmë” – shkroi ai në rrjetin X./Nacionale