Rusia thotë se po e shqyrton vendosjen e një reaktori bërthamor në Hënë me Kinën
Rusia dhe Kina janë duke e shqyrtuar mundësinë për të vendosur një reaktor bërthamor në Hënë nga viti 2033-35, tha të martën Yuri Borisov, drejtor i agjencisë ruse të hapësirës, “Roscosmos”. Sipas tij, ky veprim do të mundësonte që një ditë të ndërtohen vendbanime në Hënë.
Borisovi, ish-zëvendësministër i Mbrojtjes, tha se Rusia dhe Kina kanë qenë duke punuar së bashku në një program hënor dhe se Moska është në gjendje që të kontribuojë me ekspertizën e saj në “energjinë hapësinore bërthamore”, raporton agjencia “Reuters”.
“Sot ne po shqyrtojmë seriozisht një projekt – diku më 2033-35 – të dërgojmë dhe të instalojmë një njësi energjetike në sipërfaqen hënore bashkë me kolegët tanë kinezë” – tha Borisovi.
Panelet diellore nuk do të mund të ofronin rrymë të mjaftueshme për të furnizuar vendbanime hënore në të ardhmen, sipas tij, ndërsa energjia bërthamore do të mund ta plotësonte këtë.
“Kjo është sfidë shumë serioze... duhet të bëhet në mënyrë automatike, pa praninë e njerëzve” – shtoi rusi për planin e mundshëm.
Borisovi foli edhe për planet ruse për të prodhuar një anije kozmike me energji bërthamore për transportim mallrash. Ai tha se të gjitha çështjet teknike në lidhje me projektin ishin zgjidhur, përpos gjetjes së një zgjidhjeje se si të ftohet reaktori bërthamor.
“Ne vërtet jemi duke punuar për një anije hapësinore. Kjo strukturë e madhe, ciklopike që do të mund të ishte në gjendje, duke iu falënderuar një reaktori bërthamor dhe një turbine me fuqi të lartë.. të transportonte ngarkesa të mëdha nga një orbitë në një tjetër, të mblidhte mbetje hapësinore dhe të angazhohej në shumë zbatime të tjera” – tha Borisovi.
Zyrtarë rusë më parë kanë folur për plane ambicioze që një ditë të gërmohet në Hënë, por programi hapësinor rus ka pësuar një varg hapash prapa viteve të fundit.
Misioni i tij i parë në Hënë në 47 vitet e fundit dështoi vitin e kaluar, pasi anija kozmike ruse “Luna-25” doli nga kontrolli dhe u përplas.
Moska ka thënë se do të nisë misione të tjera hënore dhe pastaj do ta eksplorojë mundësinë për një mision të përbashkët me Kinën me dërgim njerëzish dhe madje edhe një bazë hënore.
Kina tha muajin e kaluar se synon që ta dërgojë astronautin e parë kinez në Hënë para vitit 2030.