Rusia thotë se nuk ka armëpushim për Krishtlindje në Ukrainë - NACIONALE

Rusia thotë se nuk ka armëpushim për Krishtlindje në Ukrainë

3 vjet më parë

nga Miranda Shala

Pas gati 10 mujash lufte në Ukrainë, Rusia ka thënë se një “armëpushim i Krishtlindjeve” nuk është në agjendë.

I pyetur nëse Moska kishte parë propozime për një "armëpushim të Krishtlindjeve", zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov është shprehur: "Jo, asnjë ofertë e tillë nuk është marrë nga askush. Kjo temë nuk është në rend dite.”

Ishte Zelensky, ai i cili këtë javë i kishte bërë thirrje Rusisë që të fillonte tërheqjen e trupave të saj deri në Krishtlindje si hapi i parë drejt një marrëveshjeje paqeje, por Peskov tha se nuk do të kishte paqe me Kievin derisa Zelensky të pranonte "realitetet" në terren - duke iu referuar kontrollit rus mbi pjesë të katër rajoneve të Ukrainës, të aneksuara në shtator pas "referendumeve" të paligjshme.

Megjithatë, kujtojmë se pas një serie kundërsulmesh të rrufeshme ukrainase, Kievi ka rifituar kontrollin mbi rreth gjysmën e territorit të pushtuar nga Moska në javët e para të pushtimit të saj.

Ndërkohë, analistët ushtarakë kanë thënë se edhe pse luftimet e ashpra po vazhdojnë, veçanërisht në Donetsk, mund të ketë një bllokim dimëror. E nga ShBA, zëdhënësi i Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, John Kirby, ka thënë se shkalla e dhunës së vazhdueshme ka ulur shpresat për një përfundim të afërt të armiqësive.

"Duke pasur parasysh atë që po shohim në ajër dhe në tokë në Ukrainë, është e vështirë të konkludohet se kjo luftë do të përfundojë deri në fund të vitit," është shprehur Kirby në përgjigje të një pyetjeje në lidhje me perspektivat për një paqe të negociuar me Rusinë.

Por, pavarësisht mungesës së bisedimeve të paqes mes dy vendeve, javët e fundit janë shkëmbyer qindra të burgosur, ku në shkëmbimin e fundit përfshihej edhe një shtetas amerikan.

Lajme të ngjashme