Rusia thotë se mbeten aktive linjat emergjente me ShBA-në dhe NATO-n
Rusia tha të martën se ende kishte linja emergjente me Shtetet e Bashkuara dhe me NATO-n për zbutjen e krizave, përderisa shtohen rreziqet bërthamore në kohën e ballafaqimit më të ashpër mes Moskës dhe Perëndimit që nga Lufta e Ftohtë.
Lufta në Ukrainë, që ka nisur në shkurt të vitit 2022, po hyn në atë që zyrtarët rusë thonë se është faza më e rrezikshme e saj, përderisa forcat ruse po avancojnë, ndërsa ShBA-ja po e shqyron mundësinë që ta lejojë Ukrainën për të sulmuar më thellë brenda Rusisë me raketa perëndimore, raporton agjencia “Reuters”.
Presidenti rus, Vladimir Putin, tha më 12 shtator se miratimi perëndimor i një hapi të tillë do ta nënkuptonte “përfshirjen e drejtpërdrejtë të vendeve të NATO-s, Shteteve të Bashkuara dhe vendeve evropiane në luftën në Ukrainë”.
Zëvendësministri i Jashtëm i Rusisë, Alexander Grushko, që i mbikëqyr marrëdhëniet me Evropën dhe NATO-n, i tha agjencisë shtetërore ruse të lajmeve, RIA, se Moska vëren që aleanca ushtarake po e rrit rolin e armëve bërthamore në strategjinë e saj.
Rusia, tha Grushko, po e përditëson doktrinën e vet bërthamore për të dërguar një sinjal “në mënyrë që kundërshtarët tanë të mos kenë iluzione rreth gatishmërisë sonë për ta garantuar sigurinë e Federatës Ruse me të gjitha mjetet në dispozicion”.
Putini po e ndryshon doktrinën bërthamore të Rusisë për t’i dhënë vendit të tij një prag pak më të ulët për përdorimin e armëve të tilla si kundërpërgjigje ndaj një sulmi me armë konvencionale.
E ashtuquajtura “hotline”, linjë emergjente komunikimi mes Moskës dhe Uashingtonit, u themelua më 1963 për t’i pakësuar perceptimet e gabuara që e kishin nxitur Krizën Kubane të Raketave të vitit 1962 duke e lejuar komunikimin e drejtpërdrejtë mes udhëheqësve të ShBA-së dhe Rusisë.
Linja amerikano-ruse, që tani është sistem i sigurt kompjuterik i komunikimit, është përdorur gjatë krizave të mëdha si Lufta Gjashtëditore më 1967, pushtimi sovjetik i Afganistanit më 1979, sulmet e 11 shtatorit të vitit 2001 në ShBA dhe pushtimi amerikan i Irakut më 2003.
Përpos linjës emergjente të udhëheqësve, ekzistojnë edhe linja emergjente bërthamore mes Pentagonit dhe Ministrisë së Mbrojtjes të Rusisë, që janë themeluar gjatë Luftës së Ftohtë për ta zvogëluar rrezikun për luftë bërthamore.
Ekziston edhe linja emergjente mes Rusisë dhe NATO-s, e themeluar më 2013, për t’i pakësuar keqkuptimet në situata krizash./Nacionale