Rusia thotë se forcat e saj e kanë marrë nën kontroll Pivdenne-n në Ukrainë - NACIONALE

Rusia thotë se forcat e saj e kanë marrë nën kontroll Pivdenne-n në Ukrainë

7 muaj më parë

nga NACIONALE

Ministria e Mbrojtjes e Rusisë tha të martën se forcat e saj e kishin marrë nën kontroll vendbanimin Pivdenne, që shtrihet në rajonin lindor ukrainas, Donetsk.

Pivdenne, të cilën rusët e quajnë sipas emrit të periudhës sovjetike, Leninskoe, shtrihet afër Toretskut, bastion ukrainas dhe qytezë e mihjes së thëngjillit, drejt të cilit Rusia e filloi nismën në qershor.

Më 2022, autoritetet ukrainase kishin raportuar se popullsia në Pivdenne përbëhej nga 1.404 njerëz, ndërsa ajo e Toretskut nga rreth 30 mijë njerëz. Kievi nuk e komentoi menjëherë statusin e këtij vendbanimi, raporton agjencia "Reuters".

Qytezat ndodhen afër vijës së vjetër të frontit që nga viti 2014, kur forcat e mbështetura nga Rusia kishin marrë nën kontroll disa pjesë të rajonit të Donetskut, përfshirë qytetin Horlivka, 12 kilometra larg Pivdennes.

Shtytja e Rusisë drejt Toretskut është njëra nga zonat më aktive të luftës në rajonin e Donetskut. Forcat ruse po lëvizin edhe drejt Pokrovskut, qendër kyçe ukrainase e transportit, që ndodhet rreth 70 kilometra në perëndim të Toretskut.

Rusia tha të dielën se forcat e saj kishin marrë nën kontroll dy fshatra, Prohres dhe Yevhenivka, afër Pokrovskut.

Moska thotë se i ka aneksuar Donetskun dhe tri provinca të tjera ukrainase në shtator të vitit 2022 dhe se Ukraina duhet të tërhiqet nga to si parakusht për zhvillimin e bisedimeve të paqes.

Në anën tjetër, Kievi thotë se planifikon që t’i rikthejë nën kontroll me forcë katër rajonet dhe t’i dëbojë të gjithë ushtarët rusë nga territori i Ukrainës./Nacionale

Lajme të ngjashme