Rusia thotë se është e hapur për bisedime të paqes në Ukrainë, nëse ato i nis Trumpi - NACIONALE

Rusia thotë se është e hapur për bisedime të paqes në Ukrainë, nëse ato i nis Trumpi

2 javë më parë

nga Nasuf Abdyli

Rusia është e hapur për bisedime rreth përfundimit të luftës në Ukrainë, nëse ato nisen nga presidenti i zgjedhur amerikan, Donald Trump, por çfarëdo negociate duhet të mbështetet në realitetin e avancimeve ruse, tha të enjten ambasadori rus në zyrën e OKB-së në Gjenevë, Gennady Gatilov.

Trumpi në mënyrë të përsëritur e ka kritikuar nivelin e ndihmave perëndimore për Kievin dhe ka premtuar se do t’i japë fund shpejt konfliktit, pa shpjeguar si. Fitorja e tij më 5 nëntor në zgjedhjet presidenciale ka shkaktuar shqetësime në Kiev dhe në kryeqytete të tjera evropiane për shkallën e përkushtimit të ShBA-së në të ardhmen ndaj ndihmës për Ukrainën, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

“Trumpi premtoi se do ta zgjidhte krizën ukrainase brenda natës. Në rregull, të bëhemi realë – natyrisht që ne kuptojmë se kjo nuk do të ndodhë kurrë, por nëse ai fillon ose sugjeron diçka për ta filluar procesin politik, kjo është e mirëpritur” – tha Gatilovi.

Ai shtoi se çfarëdo negociate e tillë duhet të mbështetet te ato që ai i quajti “realitete në terren”, duke e përshkruar Ukrainën si palë në disavantazh në konfliktin që ka filluar në shkurt të vitit 2022.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka thënë vazhdimisht se paqja nuk mund të arrihet pa i dëbuar të gjitha forcat ruse dhe pa e rimarrë tërë territorin e Ukrainës nga Moska, përfshirë Krimenë.

Kjo gjë u paraqit edhe në atë që Zelensky muajin e kaluar e quajti “plani i fitores”. Në të përfshihet edhe ftesa për Ukrainën që të anëtarësohet në NATO, por kjo kundërshtohet për një kohë të gjatë nga Rusia.

Zelensky u tha udhëheqësve evropianë në Budapest javën e kaluar se koncesionet ndaj Rusisë do të ishin “të papranueshme për Ukrainën dhe vetëvrasëse për tërë Evropën”.

Gatilovi la të kuptohej se fitorja e Trumpit paraqet një mundësi të re për dialog me Shtetet e Bashkuara, por një rivendosje më e gjerë e marrëdhënieve ka pak gjasa.

“Pavarësisht nga ndryshimet e brendshme politike, [Uashingtoni] vazhdimisht ndjek një sens të frenimit të Moskës... ndryshimi i administratës ofron pak për ta ndryshuar këtë” – tha ai.

“Ndryshimi i vetëm që mund të jetë i mundshëm është dialogu mes vendeve tona, diçka që ka qenë duke munguar gjatë viteve të fundit” – shtoi ambasadori rus në zyrën e OKB-së në Gjenevë./Nacionale

Lajme të ngjashme