Rusia thotë se duhet ta dëgjojë ShBA-në para se ta komentojë propozimin për armëpushim
Kremlini tha të mërkurën se duhet të njoftohet nga Shtetet e Bashkuara për rezultatin e bisedimeve mes Uashingtonit e Kievit në Arabinë Saudite para se të përgjigjet nëse propozimi për armëpushim është i pranueshëm për Rusinë apo jo.
Ukraina tha të martën se është e gatshme për të mbështetur një propozim të Shteteve të Bashkuara për armëpushim 30-ditor me Rusinë, ndërsa sekretari i Shtetit i ShBA-së, Marco Rubio, tha se vendi i tij tani do t’ia paraqesë ofertën edhe Moskës, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, tha se Moska pret që të njoftohet ditëve të ardhshme nga Rubio dhe këshilltari për Siguri Kombëtare, Mike Waltz, rreth bisedimeve të së martës me Ukrainën në qytetin Jeddah.
Peskovi gjithashtu tha se nuk e përjashton mundësinë për një bisedë telefonike mes presidentëve Vladimir Putin e Donald Trump, për të cilën tha se mund të organizohet shumë shpejt, nëse është e nevojshme.
Kur u pyet nëse propozimi për armëpushim 30-ditor është i favorshëm për Rusinë apo jo dhe nëse Moska do të lidhë një armëpushim të mundshëm me kërkesa të tjera, si heqja e sanksioneve perëndimore ndaj Moskës, zëdhënësi i Kremlinit tha:
“Po dilni pak para vetes. Dje, kur folën me gazetarë, Rubio dhe Waltz-i thanë se do të na sillnin të dhëna të hollësishme përmes kanaleve të ndryshme për thelbin e bisedës që ndodhi në Jeddah. Së pari, ne duhet ta marrim këtë informatë.”
Peskovi tha se kontaktet me amerikanët janë planifikuar për ditët e ardhshme, “gjatë të cilave ne presim që t’i pranojmë informatat e plota”./Nacionale