Rusia thërret 300.000 rezervistë, thotë se gati 6.000 ushtarë i janë vrarë në Ukrainë
Rusia do të thërrasë 300.000 rezervistë për ta përkrahur fushatën e saj ushtarake në Ukrainë, tha të mërkurën ministri i Mbrojtjes, Sergei Shoigu.
Në përditësimin e parë të shifrës së ushtarëve të vrarë në gati gjashtë muaj, Shoigu tha se 5.937 ushtarë rusë janë vrarë që nga fillimi i konfliktit, raporton agjencia “Reuters”.
Presidenti rus, Vladimir Putin, e urdhëroi në mëngjes mobilizimin e parë të Rusisë që nga Lufta e Dytë Botërore, duke thënë në një fjalim të transmetuar në televizion se nevojitet fuqi njerëzore shtesë për të fituar një luftë jo vetëm kundër Ukrainës, por gjithashtu kundër përkrahësve të saj në Perëndim.
Ministri i Mbrojtjes i mohoi vlerësimet nga Ukraina dhe Perëndimi se Rusia ka pësuar humbje të mëdha në fushatën shtatëmujore dhe tha se 90 për qind e ushtarëve të plagosur rusë janë kthyer në vijën e frontit.
Kjo qe hera e parë që Rusia dha një shifër zyrtare të të vdekurve që nga 25 marsi, kur kishte raportuar për 1.351 ushtarë të vrarë.
Pentagoni i Shteteve të Bashkuara tha në gusht se beson që mes 70.000 e 80.000 ushtarë rusë janë vrarë ose janë plagosur, ndërsa në korrik vlerësoi se shifra e rusëve të vdekur është rreth 15.000.
Shoigu tha se Rusia ka 25 milionë luftëtarë potencialë në dispozicion.
Në dekretin e publikuar në uebfaqen e Kremlinit thuhet se thirrja do të vlejë vetëm për rezervistët me përvojë të mëparshme ushtarake.
Ministri tha se kjo nënkupton rreth 300.000 burra. Shoigu tha se atyre do t’u ofrohen trajnime shtesë para se të dërgohen në Ukrainë dhe se në mesin e tyre nuk do të përfshihen studentët ose ata që tash për tash kanë qenë duke shërbyer si rekrutë.
“Këta janë vërtet ata që kanë shërbyer, që kanë specializim ushtarak, që do të thotë, specializim që nevojitet sot në Forcat e Armatosura, që kanë përvojë në luftë”, tha Shoigu.
Sipas tij, mobilizimi do ta ndihmojë Rusinë që t’i “konsolidojë” territoret që mban prapa vijës së frontit prej 1.000 kilometrash në Ukrainë.
Ukraina dhe Perëndimi e akuzojnë Rusinë se është duke zhvilluar një fushatë imperialiste për ta ripushtuar fqinjën perëndimore, e cila e shpalli pavarësinë më 1991, kur u shpërbë Bashkimi Sovjetik./Nacionale

