Rusia refuzon çmimin e vendosur për naftën, paralajmëron ndërprerje të furnizimeve - NACIONALE

Rusia refuzon çmimin e vendosur për naftën, paralajmëron ndërprerje të furnizimeve

1 vit më parë

nga Miranda Shala

Autoritetet ruse kanë hedhur poshtë një kufi çmimi për naftën të vendosur nga mbështetësit perëndimorë të Ukrainës, duke kërcënuar se do të ndalojnë furnizimin me naftë për vender që e kanë miratuar.

Çmimi tavan prej 60 dollarësh për fuçi, është vendosur nga Australia, Britania, Kanadaja, Japonia, Shtetet e Bashkuara dhe 27 vende të Bashkimit Evropian dhe do të hyjë në fuqi ditën e hënë, së bashku me një embargo të BE-së për naftën ruse të transportuar nga deti.

Megjithatë, zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov tha se përpara se të dalë me një përgjigje specifike lidhur me këtë vendim, fillimisht Rusia duhet të analizojë situatën, por ka bërë të ditur se nuk do të pranohet çmimi.

Ndërkohë edhe përfaqësuesi i përhershëm i Rusisë në organizatat ndërkombëtare në Vjenë, Mikhail Ulyanov, ka paralajmëruar se mbështetësit evropianë të vendimit do të zhgënjehen.

"Nga ky vit, Evropa do të jetojë pa naftën ruse. Moska e ka bërë tashmë të qartë se nuk do të furnizojë me naftë ato vende që mbështesin kufijtë e çmimeve kundër tregut. Prisni, shumë shpejt BE-ja do të akuzojë Rusinë për përdorimin e naftës si armë,” ka shkruar ai në Twitter.

Nga ana tjetër, nga zyra e presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky, është bërë thirrje për vendosjen e një çmimi edhe më të ulët, duke thënë se ai prej 60 dollarësh nuk mjafton.

"Do të ishte e nevojshme ta ulni atë në 30 dollarë në mënyrë që të shkatërrohej më shpejt ekonomia e armikut," ka shkruar në Telegram Andriy Yermak, kreu i zyrës së Zelenskyt, duke theksuar një pozicion të favorizuar edhe nga Polonia - një kritik kryesor i presidentit rus Vladimir Putin për luftën në Ukrainë.

Sipas marrëveshjeve të së premtes, kompanitë e sigurimeve dhe firmat e tjera të nevojshme për të transportuar naftë do të jenë në gjendje të merren me naftën bruto ruse vetëm nëse çmimi i naftës është me ose nën kufirin e vendosur.

Kufiri i çmimit synon të vendosë një shtrëngim ekonomik mbi Rusinë dhe të pakësojë më tej aftësinë e saj për të financuar një luftë që deri më tani ka lënë të vrarë një numër të madh civilësh dhe luftëtarësh, ka dëbuar miliona ukrainas nga shtëpitë e tyre dhe ka rënduar mbi ekonominë botërore për më shumë se nëntë muaj.

Lajme të ngjashme