Pamjet e reja e shfaqin bazën e re ushtarake ruse në Mariupolin e pushtuar - NACIONALE

Pamjet e reja e shfaqin bazën e re ushtarake ruse në Mariupolin e pushtuar

1 vit më parë

nga NACIONALE

Rusia është duke e fuqizuar praninë e saj ushtarake në qytetin e pushtuar bregdetar të Ukrainës, Mariupol, duke ndërtuar një bazë të madhe ushtarake, sipas pamjeve satelitore të publikuara nga kompania “Maxar”.

Kompleksi i ri, i cili e ka formën e shkronjës U, ndodhet afër qendrës së qytetit. Në kulmin e objektit shihen ylli kuq e kaltër i ushtrisë ruse dhe fjalët “nga ushtria ruse, për popullin e Mariupolit”.

Forcat ruse e kishin mbajtur të rrethuar Mariupolin për gati tre muaj këtë vit dhe qyteti ishte shkatërruar goxha shumë nga sulmet e vazhdueshme.

Zyrtarët ukrainas vlerësuan muajin e kaluar se rreth 25 mijë civilë janë vrarë nga ato sulme, ndërsa Kombet e Bashkuara kanë thënë se e kanë vërtetuar vdekjen e 1 mijë e 348 civilëve, por se shifra e vërtetë ka gjasë të jetë me mijëra më e lartë, raporton televizioni BBC.

Ndërkohë në pamjet e varreve të qytetit duket se numri i tyre po shtohet. Është raportuar se ushtarët rusë kanë larguar kufoma nga ndërtesa të shkatërruara në muajt e fundit dhe i kanë dërguar për varrosje. Muajin e kaluar, sipas një analize të fotografive, rreth një mijë e pesëqind varre ishin hapur atje.

Zyrtarët ukrainas kanë vlerësuar se deri në 90 për qind e infrastrukturës së qytetit është shkatërruar nga bombardimet ruse. Sipas pamjeve të reja, lihet të kuptohet se rusët kanë filluar që të shkatërrojnë shumë ndërtesa banimi që ishin dëmtuar në shkallën që nuk mund të riparohen.

Pamjet e reja u publikuan në kohën e raportimeve se Rusia është duke i fuqizuar ngadalë pozicionet e saj mbrojtëse në Mariupol, pasi kundërsulmet e Ukrainës në jug e në lindje po e vënë gjithnjë më në rrezik qytetin.

Muajin e kaluar, zyrtarët britanikë thanë se ushtria ruse është duke shfrytëzuar dy fabrika në Mariupolin e pushtuar për të prodhuar numër të madh të të ashtuquajturve “dhëmbë të dragoit” – blloqe betoni për ngadalësimin e përparimit të automjeteve të armikut.

Lajme të ngjashme