Rusia reagon pas bisedës Zelensky - Xi: Pak gjasa për bisedime në këto kushte
Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme të Rusisë, Maria Zakharova, tha të mërkurën se Moska e ka vërejtur vullnetin e Kinës për t’i lehtësuar bisedimet me Ukrainën pas bisedës telefonike mes presidentëve të Ukrainës dhe Kinës, Volodymyr Zelensky dhe Xi Jinping.
“Ne e vërejmë gatishmërinë e palës kineze për të bërë përpjekje që ta themelojë procesin e bisedimeve”- tha Zakharova gjatë një konference për gazetarë të mërkurën.
Megjithatë, ajo theksoi se, nën kushtet e tanishme, bisedimet kanë pak gjasa dhe e fajësoi Kievin për refuzimin e nismave të Moskës, raporton televizioni CNN.
Ukraina ka thënë disa herë se paqja në luftë do të arrihet, vetëm nëse Rusia kthehet në kufijtë e vet dhe nëse Ukraina e rimerr Krimenë.
Më herët të mërkurën, presidentët Xi dhe Zelensky e zhvilluan bisedën e tyre të parë telefonike që nga fillimi i pushtimit rus të Ukrainës. Zelensky tha se ka zhvilluar “një telefonatë të gjatë dhe kuptimplote”.

