Rusia pas vendimit të BE-së për Ukrainën: Absolutisht i politizuar, ajo s’i përmbush kriteret - NACIONALE

Rusia pas vendimit të BE-së për Ukrainën: Absolutisht i politizuar, ajo s’i përmbush kriteret

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Kremlini tha të premten se vendimi i Bashkimit Evropian për t’i hapur bisedimet për anëtarësim me Ukrainën dhe Moldavinë është vendim i politizuar që mund ta destabilizojë BE-në.

“Bisedimet për t’u anëtarësuar në BE mund të zgjatin me vite ose dekada. BE-ja gjithmonë ka pasur kritere të rrepta për pranim dhe është e qartë se për momentin as Ukraina, as Moldavia nuk i plotësojnë këto kritere”- u tha gazetarëve zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, raporton agjencia “Reuters”.

“Është e qartë se ky është një vendim absolutisht i politizuar, dëshirë e BE-së për ta shfaqur përkrahjen për këto shtete, por anëtaret e tilla të reja do të mund ta destabilizionin BE-në dhe, pasi jetojmë në të njëjtin kontinent me BE-në, ne, natyrisht, po e shikojmë këtë për së afërmi”- shtoi ai.

Në samitin e zhvilluar të enjten, udhëheqësit e vendeve të BE-së u pajtuan për t’i nisur bisedimet për anëtarësim me Ukrainën, ndonëse ky shtet po e vazhdon luftën kundër pushtuesve rusë, por blloku nuk arriti marrëveshje për pakon e re të ndihmës financiare prej 50 miliardë eurosh për Kievin për shkak të kundërshtimit nga Hungaria.

Zëdhënësi i Kremlinit tha se Hungaria nuk është shtet pro-rus, por se Rusisë i ka lënë mbresa fakti që ky vend ishte i përgatitur për t’i mbrojtur interesat e veta.

Hungaria vazhdimisht e ka kundërshtuar anëtarësimin e Ukrainës në BE, por të enjten nuk e bllokoi hapjen e bisedimeve për anëtarësim.

Lajme të ngjashme