Rusia paralajmëron se baza e prodhuesit britanik të armëve në Ukrainë mund të jetë cak i sulmeve
Kremlini ka thënë se e sheh negativisht hapjen e një qendre lokale të prodhuesit britanik të armëve, “BAE Systems” në Ukrainë, duke shtuar se çfarëdo objekti për prodhim të armëve që përdoren kundër Rusisë do të bëhen caqe të ushtrisë ruse.
Kur u pyet për hapjen e kësaj qendre në Ukrainë, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, në një bisedë me gazetarë tha: “Natyrisht, çfarëdo objekti për prodhim të armëve, sidomos nëse këto armë hapin zjarr drejt nesh, ato bëhen objekte të vëmendjes së posaçme për ushtrinë tonë.”
Prodhuesi britanik tha se do të punojë drejtpërdrejt me Kievin për të eksploruar partner të mundshëm për një plan rreth prodhimit të pushkëve 105-milimetërshe të artilerisë në Ukrainë dhe t’i kuptojë më mirë kërkesat e Ukrainës, raporton gazeta “The Guardian”.
Si kontraktuesi më i madh i armëve i Mbretërisë së Bashkuar, prodhuesi “BAE Systems” ka prodhuar një pjesë të madhe të pajisjeve që Britania dhe vende të tjera ia kanë dhënë Ukrainës për t’u mbrojtur nga pushtimi rus.
Ky prodhues, që ka përfituar nga shtimi i shpenzimeve në fushën e mbrojtjes si rezultat i konfliktit, tashmë është duke u ofruar trajnim dhe shërbime të riparimit forcave të armatosura të Ukrainës.
“Armët më të mira, që tash për tash po i ndihmojnë luftëtarët tanë për ta mbrojtur Ukrainën, duhet të prodhohen në Ukrainë”- tha presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, pas një takimi me shefin ekzekutiv të prodhuesit britanik, Charles Woodburn.
Ukraina është e interesuar për ta shtuar arsenalin e saj, nga dronët e municioni, te tanket, përderisa po mundohet që t’i zgjerojë edhe mundësitë për punësim në ekonominë e goditur nga lufta.
