Rusia kryen sulme të reja ndaj objekteve të energjisë në Ukrainë
Forcat ruse kryen të martën sulme të reja ajrore ndaj objekteve të energjisë në Ukrainë, duke shkaktuar disa shpërthime në një zonë në veri të Kievit, ku ndodhet një stacion i energjisë termale.
Kyrylo Tymoshenko, zëvendësshef i zyrës presidenciale të Ukrainës, tha se tri sulme ruse kanë ndodhur në një objekt të energjisë. Kryetari i kryeqytetit ukrainas, Vitali Klitschko, tha se sulmi ishte ndaj infrastrukturës kritike në veri të Kievit, ku dëshmitarët e agjencisë “Reuters” panë tym të dendur në qiell.
Asnjëri nga zyrtarët nuk tregoi nëse është goditur stacioni i energjisë termale. Ata as nuk dhanë hollësi për pasojat e mundshme në njerëz.
“Ukraina është nën zjarr nga pushtuesit. Ata vazhdojnë ta bëjnë atë që e bëjnë më së miri – terrorizimi dhe vrasja e civilëve”, shkroi në rrjete sociale presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky.
“Shteti terrorist nuk do të ndryshojë asgjë për veten me veprime të tilla. Kjo vetëm do ta vërtetojë thelbin e tij shkatërrues e vrasës, për të cilin sigurisht se do të mbahet përgjegjës”, shtoi ai.
Tymoshenko tha se dy sulme ajrore goditën një objekt të energjisë në qytetin juglindor, Dnipro, duke shkaktuar dëm serioz. “Është një zjarr që po përhapet dhe shkatërrim serioz”, tha guvernatori rajonal, Valentyn Reznichenko për sulmin në Dnipro.
Një sulm ajror e la pa ujë dhe pa rrymë qytetin veriore, Zhytomyr, tha kryetari i këtij vendbanimi. Një dëshmitar i agjencisë “Reuters” tha se një objekt banesash është goditur nga një sulm rus me raketa në qytetin bregdetar ukrainas, Mykolaiv.
