Të paktën 13 të vdekur nga përplasja e aeroplanit luftarak rus në një bllok banesash në Rusi - NACIONALE

Të paktën 13 të vdekur nga përplasja e aeroplanit luftarak rus në një bllok banesash në Rusi

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Së paku 13 persona kanë vdekur nga përplasja e një aeroplani luftarak rus në një bllok banesash në qytezën jugore ruse, Yeysk, sipas zyrtarëve.

Dy pilotët e aeroplanit të tipit Su-34 arritën të dilnin prej tij para se ai ta godiste ndërtesën dhe të shkaktonte zjarr të madh, raporton televizioni BBC.

Ekipet e shpëtimit e ndryshuan shifrën e viktimave pasi e përfunduan kërkimin nën rrënoja, tha Ministria e Emergjencave e Rusisë. Në mesin e viktimave raportohet se janë tre fëmijë.

Zyrtarët thanë se 68 persona janë shpëtuar nga zjarri që shpërtheu pas goditjes në bllokun 9-katësh.

Nëntëmbëdhjetë persona janë duke u trajtuar pas rastit që ndodhi të hënën në mbrëmje.

Ministria e Mbrojtjes e Rusisë tha: “Sipas një raporti nga pilotët, të cilët u tërhoqën nga aeroplani, arsyeja e përplasjes ishte një zjarr në njërin nga motorët gjatë ngritjes.”

Qyteza Yeysk shtrihet afër zonës lindore të luftës në Ukrainë, matanë Detit Azov, jo shumë larg qytetit të shkatërruar ukrainas, Mariupol.

Ky vend është përdorur si qendër e rëndësishme trajnimesh për forcat ajrore ruse.

Mediet ruse raportuan se nxënësit e një shkolle ishin në mesin e më shumë se 360 personave të evakuuar nga vendi i aksidentit.

Kremlini i ka urdhëruar autoritetet lokale e kombëtare që t’ua ofrojnë “tërë asistencën e nevojshme” personave të prekur nga ky aksident./Nacionale

Lajme të ngjashme