Rusia kryen sulme të reja me dronë, pesë të vrarë në Ukrainë
Një sulm rus me dronë dëmtoi ndërtesa banimi në qytetin e dytë më të madh të Ukrainës, Kharkiv, duke lënë të lënduar 17 njerëz, ndërsa pesë të tjerë u vranë në qytezën Pryluky në veri, thanë të enjten herët guvernatorët rajonalë.
I shtrirë 30 kilometra larg kufirit me Rusinë, në verilindje të Ukrainës, qyteti Kharkiv ka qenë shpesh në shënjestër të sulmeve ruse me raketa e dronë në luftën që ka filluar para më shumë se tre vjetëve, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Duke shkruar në rrjetin “Telegram”, kryetari i qytetit, Ihor Terekhov, tha se këto sulme, që ndodhën rreth orës 1 pas mesnatës, dëmtuan shtatë ndërtesa banesash, ndërsa dy prej tyre pësuan goditje të drejtpërdrejta.
Sipas guvernatorit, një dron e goditi katin e 17-të të një ndërtese dhe katin e dytë të një ndërtese tjetër.
Shërbimet emergjente thanë se të paktën katër fëmijë janë në mesin e të lënduarve nga sulmi në Kharkiv.
Në fotografitë e publikuara nga agjencia “Reuters” shihen vetura të shkatërruara dhe punëtorë të shërbimit emergjent duke e inspektuar dëmin.
Një qytezën Pryluky, një fëmijë 1-vjeçar dhe dy gra ishin në mesin e të vrarëve, tha në rrjetin “Telegram” guvernatori i rajonit Chernihiv, Viacheslav Chaus. Përpos të vrarëve, gjashtë njerëz të tjerë pësuan lëndime dhe u dërguan në spital./Nacionale