Rusia ia ndalon hyrjen kryeministrit britanik, Boris Johnson
Ministria e Jashtme e Rusisë ka marrë vendim që t’i ndalohet hyrja në territorin rus Kryeministrit të Mbretërisë së Bashkuar, Boris Johnson.
Përpos kryeministrit, hyrja në Rusi iu ndalua edhe sekretares së Jashtme, Lizz Truss, sekretarit të Mbrojtjes, Ben Wallace dhe dhjetë zyrtarëve të tjerë të qeverisë britanike.
Ky vendim u mor “pas veprimit të pashembullt armiqësor nga qeveria britanike, në veçanti vendosja e sanksioneve kundër zyrtarëve të lartë rusë”, citohet të ketë thënë Ministria e Jashtme e Rusisë.
Në deklaratë thuhet se lista e të sanksionuarve do të zgjerohet së shpejti.
Javën e kaluar, Kryeminsitri Johnson bëri vizitë të befasishme në Kiev dhe i premtoi Ukrainës më shumë ndihma ushtarake e financiare.
Britania e Madhe, së bashku me Shtetet e Bashkuara, është në mesin e vendeve që e kanë përkrahur më së shumti Ukrainën, kryesisht përmes armatimit, në luftën kundër pushtimit rus.