Rusia paralajmëron për “pasoja shkatërruese”, nëse preket Bjellorusia - NACIONALE

Rusia paralajmëron për “pasoja shkatërruese”, nëse preket Bjellorusia

1 vit më parë

nga Nasuf Abdyli

Rusia i paralajmëroi Perëndimin dhe Ukrainën të premten për “pasoja shkatërruese”, nëse Kievi bën lëvizje kundër aleates së ngushtë të Moskës, Bjellorusisë, duke bërë të qartë se do të ndërhynte për të mbrojtur një shtet ku ka dislokuar armë bërthamore taktike.

Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme të Rusisë, Maria Zakharova, iu tha gazetarëve se Moska është e shqetësuar me atë që ajo e quajti aktivitet “provokues” në kufirin me Bjellorusinë, duke thënë se ajo nuk e përjashton mundësinë që atje mund të ketë përpjekje për të eskaluar në rajon, raporton agjencia “Reuters”.

Disa ditë pas sulmit të befasishëm ukrainas më 6 gusht në rajonin Kursk të Rusisë, presidenti bjellorus, Aleksander Lukashenko – aleat besnik i presidentit rus, Vladimir Putin – sugjeroi, pa paraqitur dëshmi, se Kievi mund të ketë ide për ta sulmuar Bjellorusinë.

Minksu, që ka akuzuar se disa dronë ukrainas ia kanë shkelur hapësirën ajrore, më vonë njoftoi se do të dërgonte trupa shtesë në kufirin me Ukrainën, edhe pse Kievi kishte thënë se nuk kishte parë ndryshime të rëndësishme në zonën kufitare.

“Ne i marrim shënimet e duhura për informatat që i pranojmë për intensifikimin e aktiviteteve të forcave ukrainase në zonën kufitare” – tha Zakharova.

“Ne i shohim vetë këto fakte dhe jemi të vetëdijshëm për përpjekje të vazhdueshme nga pala ukrainase për të përdorur dronë e për të dërguar terroristë brenda republikës [bjelloruse]” – shtoi ajo.

Ministria e Jashtme e Ukrainës muajin e kaluar tha se Kievi “kurrë nuk ka ndërmarrë dhe nuk do të ndërmarrë asnjë veprim jomiqësor kundër popullit bjellorus”.

Si referencë e qartë ndaj sulmit të Ukrainës në Kursk, Zakharova tha se presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka dëshmuar se është i aftë për ata që ajo i quajti “hapa të pamatur”, duke e akuzuar të për bashkërendim të veprimit me Uashingtonin para zgjedhjeve presidenciale në ShBA.

“Prandaj, në vijë me këtë logjikë, ne nuk e përjashtojmë mundësinë që këto forca destruktive do të mund ta vinin në lëvizje situatën në rajon dhe të eskalonin” – tha zëdhënësja ruse.

Ajo shtoi se Rusia e Bjellorusia janë pjesë e një “Shteti Union” dhe janë zotuar që t’i mbrojnë në mënyrë të përbashkët kufijtë e tyre, duke theksuar se një grup i përbashkët rajonal ushtarak ishte dislokuar në Bjellorusi bashkë me armët bërthamore taktike ruse.

“Zbatimi praktik i çfarëdo skenari që është agresiv ndaj Minskut është plot pasoja shkatërruese jo vetëm për Ukrainën, por edhe për përkrahësit e saj” – paralajmëroi Zakharova./Nacionale

Lajme të ngjashme