Rusia e sulmon Ukrainën me mbi 100 dronë, të paktën dhjetë të vrarë - NACIONALE

Rusia e sulmon Ukrainën me mbi 100 dronë, të paktën dhjetë të vrarë

1 vit më parë

nga NACIONALE

Rusia hodhi më shumë se 100 dronë në zona civile të Ukrainës gjatë natës së kaluar, thanë të hënën autoritetet. Së paku 10 civilë u vranë.

Përpos të vrarëve, 38 persona pësuan lëndime, përfshirë tre fëmijë, nga sulmet ruse gjatë 24 orëve të fundit, thanë zyrtar ukrainas, raporton agjencia e lajmeve “Associated Press”.

Rusia rishtazi i ka shpeshtuar sulmet ajrore ndaj zonave civile pas më shumë se tre vjetëve luftë. Gjatë javës së kaluar, Rusia hodhi 1.270 dronë, 39 raketa e gati një mijë bomba të fuqishme rrëshqitëse drejt Ukrainës, tha të hënën presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky.

Ushtria ruse, më e madhe se ajo e Ukrainës, gjithashtu po mundohet fort që të depërtojë në disa pika përgjatë vijës së frontit të gjatë rreth 1 mijë kilometra, ku forcat ukrainase janë mjaft të tendosura.

Zelensky tha të shtunën se vendi i tij kishte nënshkruar marrëveshje me aleatë evopianë dhe me një kompani amerikane të mbrojtjes për ta shtuar prodhimin e dronëve, duke u siguruar që Kievi të pranojë “qindra mijëra” më shumë të tillë këtë vit.

“Mbrojtja ajrore është gjëja kryesore për mbrojtjen e jetës” – shkroi Zelensky të hënën në rrjetin “Telegram”. Sipas tij, këtu përfshihen zhvillimi dhe prodhimi i dronëve pengues që mund t’i ndalin dronët “Shahed” të prodhimit iranian që po përdoren nga Rusia.

Përdorimi i gjerë i dronëve e ka ndihmuar Ukrainën edhe sa i përket mungesës së trupave në vijnë e frontit./Nacionale

Lajme të ngjashme