Rusia e nis prodhimin masiv të strehimoreve kundër bombave, rezistente ndaj rrezatimit - NACIONALE

Rusia e nis prodhimin masiv të strehimoreve kundër bombave, rezistente ndaj rrezatimit

1 vit më parë

nga Nasuf Abdyli

Rusia e ka filluar prodhimin masiv të strehimoreve të lëvizshme kundër bombave, që mund të ofrojnë mbrojtje kundër disa rreziqeve të bëra nga njeriut dhe nga fatkeqësitë natyrore, përfshirë rrezatimin dhe valët e shokut, tha instituti hulumtues i Ministrisë së Emergjencave.

Strehimoret e tipit “KUB-M” duken si kontejnerë të përforcuar të mallrave. Ato ofrojnë ca mbrojtje kundër rrezatimit, copëzave të predhave, mbetjeve dhe zjarrit dhe mund të dislokohen në pjesën e gjerë e të ngrirë veriore, sipas institutit shtetëror, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Njësia standarde e kësaj strehimoreje zë 54 persona, por mund të shtohen edhe module të tjera, tha ky institut.

Lufta në Ukrainë është duke hyrë në atë që disa zyrtarë thonë se mund të jetë faza përfundimtare dhe më e rrezikshmja, përderisa forcat ruse po avancojnë me ritmin më të shpejtë që nga javët e para të konfliktit më 2022, ndërsa Perëndimi po synon që ta përkrahë Ukrainën.

Instituti nuk e lidhi nisjen e prodhimit masiv të strehimoreve me ndonjë krizë të tanishme, edhe pse njoftimi erdhi në kohën kur presidenti amerikan, Joe Biden, u pajtua për ta lejuar Ukrainën që të hedhë raketa amerikane me rreze të gjatë thellë brenda Rusisë.

Kremlini tha të hënën se Rusia do të kundërpërgjigjej ndaj atij që e cilësoi si vendim të pamatur nga administrata e Bidenit dhe paralajmëroi se lëvizja e re mund t’i tërheqë Shtetet e Bashkuara drejtpërdrejt në konflikt./Nacionale

Lajme të ngjashme