Rusia e bllokon me veto rezolutën e ShBA-së e Shqipërisë për dënimin e referendumeve - NACIONALE

Rusia e bllokon me veto rezolutën e ShBA-së e Shqipërisë për dënimin e referendumeve

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Rusia e bllokoi me veto të premten një rezolutë të Kombeve të Bashkuara që do t’i dënonte dhe do t’i cilësonte të paligjshme referendumet në katër rajonet e Ukrainës, do t’i shpallte të pavlefshme dhe do t’u bënte thirrje të gjitha vendeve që të mos njohin asnjë aneksim të territorit të pretenduar nga Moska.

Në Këshillin e Sigurimit me 15 shtete anëtare, dhjetë votuan për, një kundër, ndërsa Kina, India, Brazili dhe Gaboni abstenuan, raporton agjencia “Associated Press”.

Në rezolutën e sponsorizuar nga Shtetet e Bashkuara dhe Shqipëria gjithashtu kërkoheshin ndalja e menjëhershme e “pushtimit të plotë e të paligjshëm të Ukrainës” dhe tërheqja e menjëhershme dhe e pakushtëzuar e të gjitha forcave ushtarake ruse nga Ukraina.

Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara në OKB, Linda Thomas-Greenfield, tha para votimit se në rast të përdorimit të vetos nga Rusia, ShBA-ja dhe Shqipëria do ta dërgojë rezolutën në Asamblenë e Përgjithshme, ku nuk ka veto, “dhe do të tregojnë se bota ende është në anën e sovranitetit dhe të mbrojtjes së integritetit territorial”. Kjo ka gjasë që të ndodhë javën e ardhshme.

Ambasadorja e Mbretërisë së Bashkuar në OKB, Barbara Woodward, foli fjalë të ngjashme me deklaratën e sekretarit të përgjithshëm, Antonio Guterres, i cili tha se veprimet e Rusisë e shkelin Kartën e OKB-së dhe duhet të dënohen.

“Sipërfaqja që Rusia po pretendon ta aneksojë, është mbi 90 mijë kilometra katrorë. Ky është aneksimi më i madh me forcë i territorit që nga Lufta e Dytë Botërore. Nuk ka terren të mesëm në këtë”, tha ajo.

Votimi në Këshillin e Sigurimit u zhvillua disa orë pas ceremonisë në Moskë, ku presidenti Putin nënshkroi dekrete për aneksimin e katër rajoneve ukrainase: Luhansk, Donetsk, Kherson dhe Zaporizhia. Ai tha se këto rajone tash janë pjesë e Rusisë dhe do të mbrohen nga Moska.

Ambasadori rus në OKB, Vassily Nebenzia, i mbrojti të ashtuquajturat referendume në këto rajone, duke pretenduar se më shumë se 100 vëzhgues ndërkombëtarë nga Gjermania, Italia, Venezuela e Letonia, që e vëzhguan procesin e votimit, i kanë njohur rezultatet si legjitime.

“Rezultatet e referendumeve flasin vetë. Banorët e këtyre rajoneve nuk duan që të kthehen në Ukrainë. Ata kanë bërë një zgjidhje të informuar e të lirë në favor të vendit tonë”, tha ai.

Ambasadori rus i akuzoi vendet perëndimore në Këshillin e Sigurimit për “Veprime haptazi armiqësore”, duke thënë se ato kanë arritur një pikë të ulët të re duke hedhur në votim një rezolutë që dënon një anëtare të këshillit dhe duke e detyruar Rusinë që ta përdorë veton me qëllim që ato flasin me lirikë.

Ambasadori i Kinës në Kombet e Bashkuara, Zhang Jun, tha se “sovraniteti dhe integriteti territorial i të gjitha vendeve duhet të ruhet”. Sidoqoftë, ai tha se Kina abstenon, sepse beson që Këshilli i Sigurimit duhet të mundohet që ta qetësojë krizën “e jo të intensifikojë konflikte e ta zgjerojë konfrontimin”./Nacionale

Lajme të ngjashme