Associated Press: Lufta e Rusisë në Ukrainë ka arritur në një moment kritik
Ka momente në histori që duken sa kritike për botën, aq edhe të tmerrshme.
Tamer Fakahany, Associated Press
Vetëm në këtë shekull: sulmet e 11 shtatorit të vitit 2001 në ShBA, lufta “shok e frikë” ndaj Irakut të Sadam Huseinit dy vjet më vonë, pandemia e koronavirusit më 2020 që la miliona të vdekur dhe e ktheu jetën përmbys, dhe më së voni, pushtimi rus i Ukrainës më 24 shkurt, duke e kthyer në Evropë luftën shkatërruese.
E premtja u duk si njëra nga ato momentet vendimtare, pasi presidenti rus, Vladimir Putin, nënshkroi dekrete për të aneksuar në mënyrë të paligjshme pjesë të mëdha të Ukrainës lindore e jugore, siç bëri ndaj Krimesë më 2014.
Pas shtatë muajve luftë dhe me kërcënime gati të përditshme bërthamore nga udhëheqësit e Kremlinit të mbështetur për muri, Putini në mënyrë të frikshme u zotua se do t’i mbronte rajonet e aneksuara rishtazi me “të gjitha mjetet në dispozicion”. Pothuajse menjëherë, presidenti ukrainas u kundërpërgjigj duke aplikuar për anëtarësim në NATO, duke e vënë Rusinë përballë Perëndimit.
Çfarëdo mendimi se ky lloj i lojës pikëlluese me zjarrin kishte përfunduar në vitet e tetëdhjeta, kur udhëheqësi i fundit sovjetik, Mikhail Gorbachev dhe presidenti i atëhershëm amerikan, Ronald Reagan, i lehtësuan Luftën e Ftohtë dhe fantazmën bërthamore të Armageddon-it, tashmë ka përfunduar.
Edhe me tmerrin e Hiroshimës e Nagasakit të Japonisë, të varrosura në vetëdijën kolektive njerëzore, bota edhe një herë e gjen veten duke e menduar përdorimin e armëve bërthamore.
Pas një vargu ngecjesh shkatërruese në fushëbetejë, Putini bëri të qartë në mënyrë të dhimbshme se çfarëdo sulmi ndaj rajoneve të aneksuara rishtazi do të mund të interpretohej si sulm ndaj Rusisë. Ai do të përdorte çfarëdo mjeti në dispozicion në arsenalin e tij të madh – mezi u mbulua shenja nga armët bërthamore – dhe e kishte përnjëmend, tha ai.
“Jemi në një fazë të eskalimit dhe Rusia tash ballafaqohet me një varg të zgjedhjeve më ekstreme se më parë”, tha Nigel Gould-Davies, ish-ambasador i Mbretërisë së Bashkuar në Bjellorusi.
Gould-Davies, që është hulumtues i lartë për Rusinë dhe Euroazinë në Institutin Ndërkombëtar për Studime Strategjike, tha se përpjekjet e Rusisë për ta fituar luftën përmes mjeteve më të moderuara ka dështuar dhe Putini tash po detyrohet që t’i rrisë “shkallën dhe ashpërsinë e masave” që Rusia po i ndërmerr, përfshirë aneksimin dhe kërcënimet bërthamore.
Edhe kur Moska aneksoi katër rajone ukrainase, veprim që nuk do të njihet nga shumica dërrmuese e botës, dhjetëra mijëra burra rusë, të thirrur për të luftuar në luftë, po ikin nga Rusia.
Ish-shkruesi i fjalimeve të Kremlinit, tashmë analist politik, Abbas Gallyamov, të premten e lidhi ndryshimin e drejtimit të Rusisë në luftë me nismën e aneksimit. “Duket si një përpjekje për t’u kundërpërgjigjur disi dhe duket goxha patetike. Ukrainasit janë duke bërë diçka, duke bërë hapa në botën e vërtetë materiale, ndërsa Kremlini po ndërton një lloj të realitetit virtual, pa mundur që të kundërpërgjigjet në botën reale”, tha ai.
Putini po nxitet nga vitet e poshtërimit të perceptuar në duart e Perëndimit pas vdekjes së Bashkimit Sovjetik. Fakti që gjakderdhja dhe krimet e mëparshme të kryera kundër Çeçenisë dhe Sirisë iu shmangën ndërhyrjes së ashpër ndërkombëtare duket se ia ka dhënë bindjen atij se e ka kartën e bardhë për të rindërtuar një Rusi perandorake.
Nuk është ashtu në këtë rast.
Miliarda dollarë ndihma nga Shtetet e Bashkuara dhe Evropa po i ndihmojnë forcat shumë të motivuara ukrainase që të çlirojnë territor në luftë gjatë sinjaleve të qarta nga Uashingtoni se “pasoja katastrofale” do të pasojnë çfarëdo përdorimi të armëve jokonvencionale nga Moska.
N një ditë si e premtja e 30 shtatorit, kur lufta e Rusisë në Ukrainë po hyn në një fazë të ndezshme dhe edhe më të rrezikshme, mbetet pyetja: A po afrohet një luftë më e gjerë me rezultate shkatërruese për botën, që ndoshta nuk është parë që nga periudha 1939 – 1945?
Përktheu: Nacionale/Nasuf Abdyli