Rusia e akuzon Ukrainën për sulm ndaj veturës për transportin e ekspertëve bërthamorë të OKB-së
Rusia të mërkurën i akuzoi forcat e armatosura ukrainase për sulm ndaj një veture që përdorej për transportimin e ekspertëve të Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Bërthamore (IAEA) të martën, duke thënë se dikush ka mundur të vritej.
Drejtori i përgjithshëm i IAEA-së, Rafael Grossi, tha ditën e incidentit se një dron kishte goditur dhe kishte dëmtuar rëndë një veturë zyrtare të kësaj agjencie rrugës për në centralin bërthamor në Zaporizhia, që kontrollohet nga Rusia, por se nuk ka pasur viktima, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, tha se ky rast ishte sulm i qëllimshëm rus që tregon se Moska ka mospërfillje të plotë për të drejtën ndërkombëtare dhe institucionet ndërkombëtare.
Megjithatë, Ministria e Jashtme e Rusisë tha në një deklaratë se ishte Ukraina ajo që e sulmoi automjetin e agjencisë së OKB-së për energji bërthamore.
“Rreth orës 15:00, një automjet i IAEA-së, i përdorur për të transportuar ekspertë nga Sekretariati i agjencisë, u sulmua në territorin e kontrolluar nga Kievi” – thuhet në deklaratën e ministrisë ruse.
“Në orën 16:37, Ukraina sulmoi një autokolonë ruse që po kthehej nga vendbanimi Kamenskoye, pasi [autokolona] i kishte dërguar ekspertët nga Sekretariati i IAEA-së në vijën e kontaktit” – thuhet më tej.
Rusia e kapi centralin bërthamor në Zaporizhia, më i madhi i këtij lloji në Evropë, pak pas fillimit të pushtimit më 2022. Të dyja palët e konfliktit e kanë akuzuar vazhdimisht njëra-tjetrën për sulm ndaj centralit dhe rrezikim të sigurisë bërthamore.