Rusia dhe Kina bien dakord për të forcuar bashkëpunimin ushtarak
Këshilli i Sigurimit të Rusisë ka njoftuar të hënën se Moska dhe Pekini kanë zhvilluar konsultime dy-ditore mbi sigurinë strategjike në Kinë.
Delegacioni rus, i kryesuar nga Nikolay Patrushev, sekretar i këshillit, udhëtoi për në qytetin e Nanpingut për të takuar delegacionin kinez të udhëhequr nga Yang Jiechi, një politikan dhe diplomat kinez i rangut të lartë, që shërben si anëtar i Byrosë Politike të Partisë Komuniste Kineze.
Bëhet e ditur se të dy delegacionet diskutuan mbi zbatimin e marrëveshjeve të arritura në takimin e javës së kaluar midis presidentit rus Vladimir Putin dhe homologut kinez Xi Jinping në samitin e Organizatës së Bashkëpunimit të Shangait në Samarkand, Uzbekistan, i pari takim që nga shpërthimi i luftës në Ukrainë.
Kujtojmë se, Kina nuk e ka mbështetur "operacionin special ushtarak" të Rusisë në Ukrainë, por ka dënuar sanksionet e njëanshme perëndimore ndaj Moskës.
Sipas Anadolu Agency, zyrtarët nga të dy vendet kanë shkëmbyer mendime mbi çështjet rajonale dhe ndërkombëtare duke theksuar rëndësinë e rritjes së koordinimit dypalësh.
"Politika e zhvillimit të një partneriteti strategjik me Kinën është një prioritet absolut i politikës së jashtme të Rusisë, gëzon mbështetje të gjerë të popujve të të dy vendeve dhe bazohet në besimin e thellë të ndërsjellë," citohet të ketë thënë Patrushev.
Mendohet se në takim, vëmendje e veçantë i është kushtuar edhe ndërtimit të kontakteve midis Rusisë dhe Kinës në kuadër të OKB-së, SCO dhe BRICS, duke mbledhur mbështetje reciproke për çështje të rëndësishme globale.
Ndërsa, ndër temat e tjera të diskutuar mes delegacioneve ishin edhe situata në Afganistan dhe rajonin Azi-Paqësor, duke përfshirë gadishullin Korean dhe rreth Tajvanit, të cilin Kina e pretendon si provincën e tij.
"Bashkëbiseduesit shprehën shqetësimin për përshkallëzimin e tensionit nga ana e Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve të saj në rajon. U prek edhe situata në Ukrainë", thuhet në deklaratë.
Rusia dhe Kina, të cilat deklaruan një partneritet "pa kufij" në shkurt, ranë dakord për zgjerimin e bashkëpunimit ushtarak, me theks në stërvitjet dhe patrullimet e përbashkëta, si dhe forcimin e kontakteve midis shtabit të përgjithshëm.
"U shpreh interes i ndërsjellë për ruajtjen e një niveli të lartë të bashkëpunimit ushtarako-teknik. Janë përshkruar mënyrat e forcimit të vazhdueshëm të marrëdhënieve tregtare dhe ekonomike," thuhej në deklaratën e dhënë.


