Biden e thotë sërish: Nëse Kina sulmon Tajvanin, ShBA do e mbrojë
Presidenti i ShBA-ve Joe Biden ka thënë sërish se në rast të ndonjë sulmi nga Kina, vendi do e mbrojë Tajvanin.
I pyetur në një intervistë për CBS nëse trupat amerikane do të mbronin ishullin, Biden tha: "Po, nëse në fakt, do të kishte një sulm të paprecedentë".
Komentet e Biden, bënë që Shtëpia e Bardhë të sqaronte sërish se politika zyrtare e ShBA-së - e cila nuk angazhohet për veprime ushtarake ndaj Tajvanit - nuk kishte ndryshuar.
Ndërkohë, për kometet e Biden erdhi reagim edhe nga Kina, e cila tha se “dënon dhe kundërshton me vendosmëri”, fjalët e presidentit amerikan.
Kujtojmë se, Tajvani është një ishull i vetëqeverisur në brigjet e Kinës lindore që Pekini e pretendon si pjesë të territorit të tij. Ndërsa, Uashingtoni ka ecur gjithmonë në një litar të ngushtë diplomatik për këtë çështje.
Nga njëra anë, vendi i përmbahet politikës së një Kine, një gur themeli i marrëdhënies së saj me Pekinin, ku sipas kësaj politike, ShBA-ja pranon se ka vetëm një qeveri kineze dhe ka lidhje formale me Pekinin dhe jo me Tajvanin.
Por, ShBA mban gjithashtu marrëdhënie të ngushta me Tajvanin dhe i shet armë sipas Aktit të Marrëdhënieve me Tajvanin, i cili thotë se ShBA duhet t'i sigurojë ishullit mjetet për t'u mbrojtur.
E komentet e Biden për ndërhyrjen ushtarake të ShBA-së, në dukje bien ndesh me qëndrimin e Uashingtonit për "paqartësi strategjike" - ai nuk angazhohet për të mbrojtur Tajvanin, por gjithashtu nuk e përjashton opsionin.
Në intervistën e së dielës, Biden përsëriti gjithashtu se ShBA nuk po inkurajonte pavarësinë e Tajvanit.
"Ekziston një politikë "Një Kinë" dhe Tajvani bën gjykimet e veta për pavarësinë e tyre. Ne nuk po lëvizim, nuk i inkurajojmë të jenë të pavarur - ky është vendimi i tyre," tha ai.
Tajvani iu përgjigj komenteve të Biden të hënën duke përshëndetur "angazhimin e fortë të sigurisë së qeverisë amerikane ndaj Tajvanit", me Taipein që tha se do të vazhdojë të thellojë "partneritetin e ngushtë të sigurisë" me Uashingtonin.
Vetëm në fillim të këtij muaji, ShBA-të ranë dakord t'i shesin Tajvanit 1.1 miliardë dollarë armë dhe mbrojtje nga raketat, duke nxitur kështu zemërimin e Kinës.
Kjo është hera e tretë që nga tetori i vitit të kaluar që Presidenti Biden ka shkuar më tej se qëndrimi zyrtar.

