Rundi i dytë i bisedimeve bërthamore ShBA – Iran zhvendoset në Evropë
Rundi i dytë i bisedimeve bërthamore mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit do të zhvillohet në Romë, citohet të ketë thënë kryediplomati Italian, Antonio Tajani, sipas raportimit të agjencisë italiane të lajmeve, ANSA.
Shtetet e Bashkuara dhe Irani thanë se zhvilluan bisedime “pozitive” dhe “konstruktive” të shtunën në Oman dhe u pajtuan për takim të ri këtë javë, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
“Ne pranuam një kërkesë nga palët e interesuara dhe nga Omani, i cili është duke e luajtur rolin e ndërmjetësit, dhe ne kemi dhënë një përgjigje pozitive” – citohet të ketë thënë Tajani në panairin Expo në qytetin japonez, Osaka.
Sipas ministrit Italian, Roma shpesh ka qenë nikoqire e këtij lloji të bisedimeve dhe është “e përgatitur për të bërë gjithçka që nevojitet për t’i mbështetur të gjitha bisedimet që mund të çojnë në një zgjidhje të çështjes bërthamore dhe te ndërtimi i paqes”.
Më herët, mediumi amerikan “Axios”, duke cituar dy burime të paidentifikuara por me njohuri rreth çështjes, raportoi se rundi i dytë i bisedimeve ShBA – Iran do të mbahet të shtunën në Romë.
Presidenti amerikan, Donald Trump, i cili ka kërcënuar me veprime ushtarake, nëse nuk arrihet marrëveshje për ndërprerjen e programit bërthamor të Iranit, u tha gazetarëve të dielën se ai është takua me këshilltarë në lidhje me Iranin dhe pret një vendim të shpejtë, por nuk dha hollësi.
Një ditë më parë, ai u kishte thënë gazetarëve se situata në lidhje me Iranin “po lëvizte goxha mirë, mendoj”./Nacionale