Rrjedhin detajet e para të paktit për lirimin e pengjeve: Çfarë do të japë Izraeli?
Televizioni amerikan, CNN, ka raportuar për disa hollësi të një marrëveshjeje mes Izraelit dhe Hamasit për lirimin e pengjeve e që pritet të arrihet së shpejti.
Pritet që me këtë marrëveshje të sigurohet lirimi i 50 fëmijëve e grave që po mbahen peng nga Hamasi në këmbim të një pauze 4 ose 5-ditore në luftime si dhe nga tre të burgosur palestinezë do të lirohen për një peng të liruar nga Hamasi, sipas disa burimeve.
Gjatë pauzave, Izraeli do ta ndërpriste fluturimin e dronëve vëzhgues mbi Gazën veriore për të paktën gjashtë orë në ditë, tha një burim – diçka që Izraeli më parë ka nguruar ta ofrojë, duke thënë se kjo do të nënkuptonte humbje të përcjelljes së lëvizjeve të operativëve të Hamasit.
Katari, shteti që ka ndërmjetësuar në bisedime, mund ta njoftojë sot lirimin e pengjeve në këmbim të një pauze në luftime, sipas burimeve të afërta me këto negociata.
Dy burime izraelite i thanë të martën televizionit CNN se Izraeli dhe Hamasi janë duke punuar për emrat e personave që mund të lirohen si pjesë e këmbimit të pengjeve të Hamasit me të burgosurit në burgjet izraelite.
Një zyrtar amerikan shprehu optimizëm se një marrëveshje ishte e arritshme, duke thënë: “Jemi më së afërmi që kemi qenë ndonjëherë.”
Të hënën, Shtëpia e Bardhë tha se negociatorët po i afroheshin fundit rreth marrëveshjes për lirimin e pengjeve nga Hamasi, por nuk u dhanë hollësi për numrin e tyre. Raportohet se në Gaza nga grupe palestineze po mbahen rreth 240 pengje.
Lufta Izrael – Hamas nisi më 7 tetor, kur ky grup hyri në jug të Izraelit dhe, sipas zyrtarëve izraelitë, vrau rreth 1.200 njerëz. Ushtria izraelite u kundërpërgjigj fuqishëm, fillimisht me sulme ajrore e pastaj edhe me operacion tokësor në Gaza.
Izraeli është ballafaquar ditëve të fundit me presion të shtuar ndërkombëtar për t’i mbrojtur civilët në Gaza dhe për ta lejuar hyrjen e ndihmave në enklavën e izoluar. Kritikat ndaj këtij shteti ditëve të fundit madje i kishin ashpërsuar edhe aleatët e fuqishëm perëndimorë, përfshirë ShBA-në, Francën, Britaninë e Gjermaninë.

