Rritja e vlerës së dollarit po shkakton vuajtje në mbarë botën
Kostoja e jetesës në Kajro është rritur aq shumë, saqë roja Mustafa Gamal u detyrua që t’i dërgonte bashkëshorten dhe vajzën njëvjeçare për të jetuar me prindërit e tij në një fshat rreth 110 kilometra në jug të kryeqytetit egjiptian për të kursyer të holla.
Mustafai, 28 vjeç, po mban dy vende të punës dhe po banon në një banesë me të rinj të tjerë. Gjithashtu, ai e ka larguar mishin nga ushqimi që e ha. “Çmimet e gjithçkaje janë dyfishuar. Nuk kishte alternativë tjetër”, tha ai.
Përreth botës, njerëzit po i ndajnë vështirësinë dhe zemërimin e tij. Një shitës i pjesëve të automjeteve në Nairobi, një shitës i rrobave për foshnja në Stamboll dhe një importues i verës në Mançester e kanë ankesën e njëjtë: rritja e vlerës së dollarit amerikan po i bën më të dobëta valutat e vendeve të tyre, duke ndikuar në çmime shumë të larta për produktet dhe shërbimet e përditshme. Kjo po e grumbullon ankthin financiar në një kohë kur familjet tashmë po ballafaqohen me shtrenjtim të ushqimit dhe të energjisë, që është i lidhur me pushtimin rus të Ukrainës.
“Një dollar i fuqishëm situatën e keqe e bën më të keqe në pjesën tjetër të botës”, tha Eswar Prasad, profesor i politikave tregtare në Universitetin e Cornell-it. Shumë ekonomistë brengosen se rritja e konsiderueshme e vlerës së dollarit po i shton gjasat për recesion global në një pikë të caktuar të vitit të ardhshëm.
Vlera e dollarit këtë vit është rritur për 18 për qind dhe muajin e kaluar e arriti nivelin më të lartë në dy dekadat e fundit, sipas indeksit ICE për dollarin amerikan, i cili e mat vlerën e valutës së ShBA-së në krahasim me disa valuta të tjera.
Arsyet për rritjen e vlerës së dollarit nuk janë sekrete. Për ta luftuar inflacionin në rritje, Rezerva Federale e Shteteve të Bashkuara e ka rritur pesë herë këtë vit shkallën e interesit dhe po jep shenja se mund të ketë edhe rritje të tjera. Kjo ka çuar në shkallë më të lartë të vlerës së letrave me vlerë të qeverisë dhe korporatave, duke joshur investitorë e duke e rritur vlerën e dollarit.
Shumica e valutave të tjera janë shumë më të dobëta, sidomos në vendet e varfra. Vlera e rupit indian ka rënë për gati 10 për qind kundër dollarit, vlera e funtit egjiptian për qind, kurse vlera e lirës turke për jo më pak se 28 për qind.
Xhelal Kaleli, 60 vjeç, shet rroba për foshnja dhe çanta për pelena në Stamboll. Për shkak të blerjes së materialit me çmime në dollarë, ai detyrohet që t’i rrisë çmimet për klientët turq, të cilët me vështirësi blejnë me valutën e dobësuar vendëse./Nacionale

