Paundi në nivelin më të ulët ndaj dollarit që nga viti 1985
Paundi ka rënë në nivelin më të ulët kundrejt dollarit amerikan që nga viti 1985, të mërkurën pasdite sterlina ka rënë me 0.64% në 1.145 dollarë - një nivel i paparë në 37 vjet.
Banka e Anglisë tha se një perspektivë më e dobët për ekonominë e Mbretërisë së Bashkuar, si dhe një dollar më i fortë po ushtronin presion mbi sterlinën.
Sipas BBC-së, guvernatori Andrew Bailey ka paralajmëruar gjithashtu se ndërsa lufta në Ukrainë vazhdon, nuk mund të bëhet shumë për të ndaluar rënien e Mbretërisë së Bashkuar në një recesion.
Ai shtoi se shkak për recesion janë "në masë të madhe veprimet e Rusisë dhe ndikimi në çmimet e energjisë".
Banka pret që në tre muajt e fundit të 2022 ekonomia të tkurret dhe të vazhdojë tkurrjen deri në fund të 2023.
Paralajmërimi i guvernatorit vjen përpara një plani të qeverisë për të kufizuar një rritje të mprehtë të faturave të energjisë.
Kujtojmë se, gjatë fushatës së saj, tani kryeministrja Truss goditi Bankën e Anglisë, duke e akuzuar atë se ishte e ngadaltë për të reaguar ndaj rritjes së çmimeve dhe për të mbrojtur familjet e cenueshme.
Por të mërkurën, kancelari i ri Kwasi Kwarteng përsëriti "mbështetjen e tij të plotë për Bankën e pavarur të Anglisë dhe misionin e tyre për të kontrolluar inflacionin, i cili është thelbësor për trajtimin e sfidave të kostos së jetesës".
Inflacioni mund të lehtësohet
Pavarësisht planit të mbështetjes së energjisë të Truss, rënia e Britanisë së Madhe në recesion pritet edhe nga ekonomistë të tjerë. Por disa sugjeruan se planet për të kufizuar faturat e energjisë mund të nënkuptojnë se rritja e kostos së jetesës do të arrijë kulmin më herët dhe do të jetë "dukshëm më e ulët" se sa ishte parashikuar më parë.
Kostoja e jetesës në Britani po rritet me ritmin e saj më të shpejtë në 40 vjet, me 10.1%, me çmimet e ushqimit, karburantit dhe energjisë, megjithatë banka e investimeve Goldman Sachs tha se një limit në faturat për familjet mund të shohë inflacionin të arrijë kulmin në 10.8% në tetor, në vend të 14.8% që parashikohej më parë. Më pas, sipas bankës, inflacioni do të ngadalësohet në 2.4% deri në dhjetor 2023.

