Rritet sërish numri i të vrarëve e të plagosurve nga sulmet izraelite në Liban - NACIONALE

Rritet sërish numri i të vrarëve e të plagosurve nga sulmet izraelite në Liban

1 vit më parë

nga NACIONALE

Ministria e Shëndetësisë e Libanit e ka përditësuar numrin e viktimave të sulmeve izraelite në jug të vendit, duke raportuar se shifra e të vrarëve ka shkuar në 182.

Fillimisht, e njëjta ministri më herët të hënën kishte raportuar për 50 të vrarë e 300 të plagosur, raporton televizioni BBC.

Pak më vonë, autoritetet e kishin plotësuar raportin, duke thënë se numri i të vdekurve kishte shkuar në mbi 100, ndërsa 400 të tjerë ishin plagosur.

Në përditësimin më të ri, përpos 182 të vrarëve, Ministria e Shëndetësisë raportoi për 727 persona të plagosur, duke shtuar se në mesin e të vrarëve e të plagosurve kishte “fëmijë, gra e pjesëtarë të ekipeve mjekësore”.

Ndërkohë, prindërit në kryeqytetin e Libanit, Bejrut, kanë shkuar me nxitim nëpër shkolla për t’i marrë fëmijët e tyre, pasi kishin marrë porosi në telefona me paralajmërimin për t’u larguar nga zona.

Një prind, i quajtur Issa, e mori djalin e vet nga shkolla dhe agjencisë “Reuters” i tha: “[Jemi këtu] për shkak të telefonatave. Ata [izraelitët] po e telefonojnë secilin dhe po i kërcënojnë njerëzit me telefon. Prandaj, jemi këtu për ta marrë djalin tim nga shkolla. Kjo gjendje nuk po qetësohet.”

Sipas kompanisë shtetërore libaneze të telekomunikimit, “Ogero”, janë bërë më shumë se 80 mijë thirrje ose mesazhe në telefona.

Drejtori i kompanisë i tha agjencisë “Reuters” se këto telefonata ishin një formë e “luftës psikologjike për të bërë kërdi e kaos” nga Izraeli.

Kryeministri i Libanit, Najib Mikati, tha se veprimet e Izraelit shënojnë “një luftë për shfarosje në secilin kuptim të fjalës” dhe “plan destruktiv që synon t’i shkatërrojë fshatrat dhe qytezat libaneze”.

Mikati e anuloi udhëtimin e tij në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së në Nju-Jork, por bëri thirrje që në takimin e nivelit të lartë të merren masa për ta “parandaluar agresionin”./Nacionale

Lajme të ngjashme