Rritet për 6 për qind indeksi kryesor i aksioneve në Turqi pas shtimit të gjasave për fitoren e opozitës
Indeksi kryesor i aksioneve në Turqi shënoi rritje për 6 për qind pas lajmit të papritur për tërheqjen e kandidatit Muharrem Inxhe nga gara për president të Turqisë.
Tregjet financiare janë në pritje të rezultatit të zgjedhjeve, pasi kandidati kryesor opozitar, Kemal Kilicdaroglu, është zotuar se do t’i zhbëjë politikat e pazakonta ekonomike të presidentit Rexhep Erdogan, raporton agjencia“Reuters”.
Letrat me vlerë në dollarë në Turqi shënuan rritje për 2,5 për qind, nivel që për herë të fundit u pa para më shumë se një viti.
Sipas një ankete të publikuar të enjten nga kompani “Konda”, Erdogani ka 43,7 për qind përkrahje, ndërsa Kilicdaroglu 49,3 për qind. Nëse ky rezultat del edhe në zgjedhje, dy politikanët kryesore do të ballafaqohen në balotazh më 28 maj.
Erdogani tha se është i pikëlluar nga lajmi për tërheqjen e Inxhes nga zgjedhjet presidenciale.
Seckin Yetkin, 28 vjeç nga Stambolli, tha se tani do të votojë për Kilicdaroglun në vend të Inxhes, duke shtuar se dëshiron që të mos ketë balotazh në zgjedhje.
“Aq sa po shoh unë, njerëzit po anojnë nga vota për Kilicdaroglun në mënyrë që zgjedhjet të mos shkojnë në balotazh. Mendoj se tërheqja e Inxhes është logjike në aspektin strategjik”- tha i riu turk.
Fitorja e mundshme e Erdoganit në këto zgjedhje sfidohet nga kriza e kostos së jetesës, e nxitur nga rënia e vlerës së lirës dhe rritja e inflacionit, si dhe nga pasojat e tërmetit shkatërrues në shkurt, kur mbi 50 mijë njerëz vdiqën e miliona të tjerë mbetën pa strehë.
Sipas anketës së kompanisë “Konda”, kandidati tjetër, Sinan Ogan, ka 4,8 për qind përkrahje dhe ka thënë se shumica e votuesve të mundshëm të Oganit dhe Inxhes anonin nga vota për Kilicdaroglun, në rast se zgjedhjet shkojnë në rundin e dytë.

