Rritet numri i ushtarëve të rënë izraelitë në Gaza – për herë të parë vritet një kolonel - NACIONALE

Rritet numri i ushtarëve të rënë izraelitë në Gaza – për herë të parë vritet një kolonel

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Ka shkuar në dhjetë numri i ushtarëve të vrarë izraelitë gjatë luftimeve në Gaza në orët e fundit, duke e çuar në 115 shifrën e përgjithshme të trupave të rëna nga fillimi i ofensivës tokësore. Për herë të parë u vra një oficer i lartë ushtarak – një kolonel.

Sipas njoftimit të ushtrisë izraelite të mërkurën, në mesin e të vrarëve në Shejaiya të Gazës është Kolonel Itzhak Ben Basat, 44 vjeç, udhëheqës i ekipit komandues të Brigadës “Golani”, raporton gazeta “The Times of Israel”.

Koloneli Ben Basat është ushtaraku më i lartë i forcave izraelite që vritet në Gaza që nga fillimi i ofensivës tokësore në fund të tetorit.

Përpos tij, në njoftimin e ri tregohet edhe për vrasjen e Rreshter Eran Aloni, 19 vjeç, pjesëtar I Batalionit të 51-të.

Gazeta Nacionale para disa orëve raportoi për vrasjen e tetë ushtarëve të tjerë izraelitë. Në mesin e tyre është edhe një ushtarak i lartë, Nënkolonel Tomer Grinberg.

Shtatë ushtarët e tjerë që u vranë janë:

Major Roei Meldas, 23 vjeç, komandant kompanie në Batalionin e 13-të të Brigadës “Golani;

Major Moshe Avram Bar Or, 23 vjeç, komandant kompanie në Batalionin e 51-të të Brigadës “Golani”;

Rreshter Achia Daskal, 19 vjeç, ushtar në Batalionin e 51-të të Brigadës “Golani”;

Kapitel Liel Hayo, 22 vjeç, komandant toge në Batalionin e 51-të të Brigadës “Golani”;

Major Ben Shelly, 26 vjeç, komandant skuadre në Njësitin 669 të Forcës Ajrore të Izraelit;

Rreshter Rom Hecht, 20 vjeç, ushtar i Njësitit 669 të Forcës Ajrore të Izraelit;

Rreshter Oriya Yaakov, 19 vjeç, ushtar i Batalionit të 614-të të Trupave Luftarake Inxhinierike.

Lajme të ngjashme