Rritet numri i të vrarëve nga sulmet në Dagestan të Rusisë, Melikovi implikon forca të huaja - NACIONALE

Rritet numri i të vrarëve nga sulmet në Dagestan të Rusisë, Melikovi implikon forca të huaja

2 vjet më parë

nga Nasuf Abdyli

Numri i të vrarëve nga një varg sulmesh ndaj kishave dhe sinagogave në rajonin rus me shumicë myslimane, Dagestan, shkoi në 19 të hënën, pasi disa persona të armatosur kryen sulme të bashkërenduara në dy qytetet më të rëndësishme të atij rajoni.

Burra të armatosur me armë automatike hynë në një kishë ortodokse dhe në një sinagogë në qytetin e lashtë të Derbentit të dielën në mbrëmje, duke i vënë flakën një ikone në kishë dhe duke e vrarë priftin ortodoks 66-vjeçar, Nikolai Kotelnikov, raporton agjencia “Reuters”.

Në qytetin buzë brigjeve të Kaspikut, Makhachkala, rreth 125 kilometra më në veri, sulmuesit qëlluan me armë një post-bllok të policisë së trafikut dhe sulmuan një kishë.

Luftimet me armë shpërthyen përreth një kishe në Makhachkala dhe të shtëna të shumta nga armët automatike u dëgjuan deri vonë natën. Në pamje u shfaqën disa banorë duke vrapuar nëpër qytet për të kërkuar strehim, ndërsa tymi shihen në qiell mbi qytet.

Asnjë grup nuk e mori menjëherë përgjegjësinë për sulmin. Komiteti Hetues i Rusisë tha se 15 policë dhe katër civilë janë vrarë. Të paktën pesë sulmues u vranë dhe disa prej tyre u shfaqën nga mediat lokale të qëlluar për vdekje në një trotuar.

“Kjo është ditë tragjedie për Dagestanin dhe për tërë vendin” – tha udhëheqësi i këtij rajoni, Sergei Melikov. Ai shtoi se forca të huaja ishin të përfshira në përgatitjen e sulmit, por nuk dha hollësi.

Dagestani shpalli tri ditë zie. Fotografitë e policëve të vrarë u vendosën në rrugë para trëndafilave të kuq.

Presidenti rus, Vladimir Putin, i cili për një kohë të gjatë e ka akuzuar Perëndimin se po mundohet të nxisë separatizëm në rajonin e Kaukazit, ende nuk ka komentuar./Nacionale

Lajme të ngjashme