Rrëshqitje dheu në Java të Indonezisë, 16 të vdekur e dhjetë të lënduar
Rrëshqitja e dheut në qytetin Pekalongan të Indonezisë la 16 njerëz të vdekur e dhjetë të lënduar, tha të martën një zyrtar i agjencisë për menaxhimin e fatkeqësive.
Rrëshqitja u nxit nga shiu i dendur në zonë nga e hëna, tha zëdhënësi i kësaj agjencie, Abdul Muhari, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Ai shtoi se autoritetet tani ishin duke kërkuar tre persona të zhdukur.
Në pamjet e televizionit “Kompas TV” u shfaqën shtëpi të dëmtuara rëndë dhe të mbuluara me dhe. Të mbuluara u panë edhe disa vetura. Rrëshqitja e dheut dëmtoi rrugë, duke lënë gurë e mbetje të shpërndara në to.
Zëdhënësi Abdul tha se dy ura ishin dëmtuar nga fatkeqësia.
Agjencia për menaxhimin e fatkeqësive i paralajmëroi banorët se shiu pritet të vazhdojë gjatë disa ditëve të ardhshme.