Kush do të jetë president? Ron DeSantis e lë për 23 pikë prapa Trumpin në sondazhin e republikanëve - NACIONALE

Kush do të jetë president? Ron DeSantis e lë për 23 pikë prapa Trumpin në sondazhin e republikanëve

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Në një anketë të re sa i përket nominimit të kandidatit të Partisë Republikane për zgjedhjet presidenciale të vitit 2024, guvernatori i Floridës, Ron DeSantis, ka marrë përkrahje për 23 pikë më shumë se ish-presidenti Donald Trump.

Republikanët dhe votuesit me prirje nga Partia Republikane i dhanë goditje të konsiderueshme egos së ish-presidentit Trump në një anketë të kryer nga gazeta “USA Today” dhe Universiteti i Suffolk-ut, që u publikua të martën.

Sidoqoftë, sipas një sondazhi tjetër, Trump-i mori përkrahje për 18 pikë më shumë se guvernatori DeSantis. Ky sondazh u krye nga kompania “Morning Consult”. Për më tepër, uebfaqja e anketave, “FiveThirtyEight”, ende e shfaq Trump-in në epërsi në shumicën e sondazheve, shkruan gazeta "The Guardian", përcjell Nacionale.

Megjithatë, David Paleologos, drejtor i Qendrës për Hulumtime Politike në Universitetin e Suffolk-ut, i tha gazetës “USA Today”: “Republikanët dhe të pavarurit konservatorë gjithnjë më shumë e duan Trumpizmin pa Trump-in.”

Kjo dukuri ka qenë mjaft e qartë gjatë rritjes së përkrahjes për guvernatorin DeSantis, ish-avokat ushtarak dhe kongresist djathtist që ka zbatuar politika të ashpra, sidomos për emigrantët dhe arsimin.

Muajin e kaluar, ai shënoi fitore gjatë garës për guvernator dhe mbajti një fjalim me vetëbesim. Në anën tjetër, ish-presidenti Trump e shpalli kandidaturën e tij të tretë radhazi për nominimin e Partisë Republikane pak pas zgjedhjeve të mesit të mandatit.

Sidoqoftë, ai ka pasur pak momentum, sidomos pas zgjedhjeve në të cilat shumica e kandidatëve të përkrahur prej tij pësuan humbje, duke kontribuuar në rezultat të përgjithshëm zhgënjyes për Partinë Republikane.

Trump-i është duke u ballafaquar edhe me një betejë të gjerë ligjore për shkak të përpjekjeve të tij për rrëzimin e rezultatit të zgjedhjeve presidenciale të vitit 2020, mbajtjen e të dhënave të Shtëpisë së Bardhë edhe pas largimit nga pushteti dhe disa probleme me veprimtarinë e tij biznesore.

Gazeta “USA Today” tha se anketa e saj tregon që entuziazmi për një garë tjetër të Trump-it në zgjedhje presidenciale në mesin e votuesve republikanë dhe të atyre me prirje republikane është duke u tërhequr.

“Në korrik, 60 për qind e republikanëve donin që Trump-i të garonte përsëri. Në tetor, ky numër ra në 56 për qind. Tash ka rënë në 47 për qind, ndarje pothuajse e barabartë me 45 për qind të atyre që nuk duan që ai të garojë për herë të tretë”- raportoi kjo gazetë.

Lajme të ngjashme