Rivalët e Partisë Konservatore të Britanisë përplasen në debat për taksat dhe shpenzimet - NACIONALE

Rivalët e Partisë Konservatore të Britanisë përplasen në debat për taksat dhe shpenzimet

4 vjet më parë

nga Nasuf Abdyli

Kandidatët për kryetar të Partisë Konservatore të Britanisë, përkatësisht për kryeministër të ri të Mbretërisë së Bashkuar, janë përplasur në një debat televiziv për financimin e shërbimeve publike dhe kontrollimin e inflacionit.

Sekretarja e Jashtme, Liz Truss, e sulmoi rritjen e taksave, të vendosur gjatë mandatit të ish-kancelarit për Ekonomi, Rishi Sunak, duke e cilësuar të habuar dhe u zotua që do ta shfuqizojë atë.

Sidoqoftë, Sunak tha se këto taksa janë të nevojshme për ta financuar sistemin shëndetësor dhe e akuzoi kryediplomaten se beson në përralla ekonomike.

Rivalët u ndeshën edhe për punën e kryeministrit aktual, Boris Johnson, të drejtat e personave transgjinorë dhe besimin në politikë, raporton televizioni BBC.

Në debatin që u zhvillua në kanalin “Channel 4” morën pjesë pesë kandidatët e mbetur në garë. Votimi i ardhshëm i deputetëve të Partisë Konservatore për ngushtimin e listës së kandidatëve do të mbahet të hënën.

Në rundin e ardhshëm, javën e ardhshme, do të kalojnë vetëm dy kandidatë para se rreth 160.000 anëtarë të partisë në pushtet ta zgjedhin kryetarin e ardhshëm përmes votimit me postë.

Gjatë debatit 90-minutësh, vështirësitë ekonomike zunë një hapësirë të madhe të kohës. Kandidatët u pyetën se si do t’i financojnë shërbimet publike dhe si do ta ndihmojnë popullin për ta ballafaquar më lehtë koston e jetesës gjatë rritjes së inflacionit.

Sunak, që ka marrë më së shumti vota në fazën fillestare të garës, u detyrua që ta mbrojë rritjen e taksave, vendim i marrë nën pushtetin e tij, përfshirë rritjen e kostos së Sigurimit Kombëtar në prill, për t’i paguar sistemin shëndetësor dhe kujdesin social.

Zonja Truss, që doli e treta në votimin e së enjtes tha se kjo rritje ishte e gabuar dhe se, nëse vjen në pushtet, do ta rrëzojë vendimin.

Ministrja e Tretisë, Penny Mordaunt, tash për tash e dyta në garë, tha se plani i saj ekonomik, që e përfshinë rritjen e pragut të taksave në të ardhura në vijë me inflacionin, është i mbështetur në rritje dhe konkurrencë më të mirë.

Sunak tha se për planet e zonjës Mordaunt nevojiten hua shtesë, por ajo mohoi se ka premtuar zvogëlim të një grumbulli taksash. Sidoqoftë, tha se njerëzit kanë nevojë për ndihmë tani.

Në rundin e dytë të votimit të deputetëve konservatorë, Rushi Sunak doli i pari me 101 vota, Penny Mordaunt doli e dyta me 83 vota, Liz Truss e treta me 64 vota, Kemi Badenoch mori 49 vota, Toma Tugendhat mori 32 vota dhe kandidatja që tashmë është eliminuar nga gara, Suella Braverman, mori vetëm 27 vota./Përktheu: Nacionale

Lajme të ngjashme